Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me operacionin ndërkombëtar “Ura”, të zhvilluar së bashku me Prokurorinë e Barit në Itali dhe mbështetjen e Europol.
Në njoftim, SPAK-u konfirmon se nga ky operacion rezultuan 52 masa sigurimi, 29 nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organoizuar ndaj anëtarëve të grupit kriminale në vendin tonë, 1 nga Prokuroria e Posaçme dhe 22 nga drejtësia italiane. Nga këta, 40 janë shqiptarë ndërsa pjesa tjetër italianë, teksa sqarohet se ishin të përfshirë në 3 grupe kriminale, një me bazë në Shijak e dy të tjera në Puglia, Itali.
“Operacion ndërkombëtar kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave: 52 masa sigurimi dhe miliona euro të sekuestruara në Shqipëri dhe Itali
Në kuadër të një hetimi të përbashkët ndërkombëtar, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokuroria e Republikës pranë Gjykatës së Barit (DDA), me mbështetjen e Eurojust dhe përmes ngritjes së një Skuadre të Përbashkët Hetimore, ekzekutuan sot, më 21 maj 2025, një operacion të gjerë kundër trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale.
Operacioni rezultoi në 52 masa sigurimi personale, përkatësisht:
29 masa sigurimi të vendosura nga Gjykata e Posaçme për anëtarë të grupeve kriminale që vepronin në Shqipëri;
1 urdhër ndalimi i lëshuar nga Prokuroria e Posaçme;
22 masa sigurimi të vendosura nga Gjykata e Barit në Itali.
Në total, janë proceduar 40 shtetas shqiptarë dhe 12 shtetas italianë, të përfshirë në tre grupe të organizuara kriminale – njëra me bazë në Durrës dhe dy të tjera në rajonin e Puglias, Itali”, njofton SPAK.
Sakaq, sipas njoftimit të Prokurorisë së posaçme, janë provuar 40 raste të trafikimit të lëndëve narkotike në Shqipëri, Itali dhe vendet e tjera të Europës.
Në vendin tonë janë sekuestruar 2 kompani ndërtimi, 4 biznese dhe restorante, 1 agjenci pasurish të paluajtshme, 1 kabllor televiziv, para cash, automjete luksoze, e të tjera. Sekuestrime pati dhe në Itali, si 9 apartamente, 4 kompani, 7 llogari bankare, 3 automjete.
“Gjatë hetimeve të zhvilluara në periudhën 2020–2025, janë dokumentuar 40 episode të trafikimit të lëndëve narkotike, përfshirë edhe sekuestrimin e sasive të konsiderueshme heroine dhe kokaine në Shqipëri, Itali dhe vende të tjera të Europës. Një nga episodet përfshinte transportin e 255 kg heroinë dhe kokainë në Bari, përmes korrierëve ndërkombëtarë.
Sekuestrimet e pasurive janë kryer paralelisht në të dy vendet dhe përfshijnë:
Në Shqipëri:
2 kompani ndërtimi,
4 shoqëri tregtare dhe restorante,
1 agjenci pasurish të paluajtshme,
1 TV kabllor,
automjete luksoze, para cash, etj.
Më parë, gjatë hetimeve janë sekuestruar 3 milionë euro “cash”.
Në Itali:
9 apartamente,
4 kompani,
7 llogari bankare,
3 automjete, të sekuestruara në kuadër të masës së “sekuestros preventive”.
Hetimet u bazuan në metoda të avancuara hetimore si përgjime telefonike dhe ambientale, regjistrime video,vëzhgime dhe kontrolle,analiza të komunikimeve të koduara në platformën SKYECC, dëshmi të tre bashkëpunëtorëve të drejtësisë”, sqaron Prokuroria e Posaçme.
Duke dhënë detaje të mëtejshme mbi operacionin, SPAK-u njofton se transporti i lëndëve narkotike nga Italia drejt Shqipërisë u bë përmes autobuseve ndërkombëtare. Prokuroria e Posaçme njofton gjithashtu se vijojnë hetimet për rastin.
“Autoritetet evidentuan se pagesat për lëndët narkotike kryheshin nga Italia drejt Shqipërisë përmes shoferëve të linjave ndërkombëtare të autobusëve, ndërsa vlera totale e transaksioneve të drogave të dokumentuara arrin në 4.5 milionë euro.
Gjithashtu, është dokumentuar edhe transferimi i mbi 500 mijë dollarëve nga Shqipëria drejt Amerikës Latine, si parapagim për një sasi prej 500 kg kokaine që nisej nga Guayaquil, Ekuador.
Procedurat aktualisht ndodhen në fazën e hetimit paraprak, dhe autoritetet ligjzbatuese në të dy vendet po vijojnë punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në aktivitetin kriminal dhe korruptiv.”, njofton SPAK.
Ajo që bie në sy është fakti se njoftimi i Prokurorisë së Posaçme nuk përmban iniciale e autorëve të përfshirë, duke u përpjekur për të mbajtur sa më të “fshehtë” detaje që mund të prishin hetimet e deritanishme.
Më herët, kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, cilësoi se operacioni i sotëm goditi një prej grupeve kriminale më të fuqishme në vend.
Hetimet në Shqipëri u ndoqën nga prokurori i posaçëm, Vladimir Mara, ndërsa në shtetin fqinjë nga kryeprokurori i Barit, Roberto Rossi./e.s