Ditën e sotme në Gjykatën e Tiranës është zhvilluar seanca gjyqësore për vrasjen e të miturit Martin Cani, i cili u vra nga bashkëmoshatari i tij Mario Përlleshaj, pranë shkollës “Fan Noli”.
Sipas informacioneve, mësohet se sot janë marrë në pyetje pesë të mitur si dëshmitarë, ku prezentë kanë qenë prindërit dhe një psikologe. Ndërkohë, seanca e radhës është lënë më 28 maj, ku gjithashtu do të pyetën 8 dëshmitarë të tjerë, të mitur që kanë dijeni për ngjarjen.
Gjithashtu, mësohet se prokurorja Alma Felaj ka debatuar me prindërit e Luis Meçes, i cili mbeti i plagosur, pasi ata kanë shprehur pakënqësinë e tyre, ndërsa dhe babai i tij është larguar nga salla.
Debati raportohet të ketë nisur për një rast para se të ndodhte vrasja, ku Martin Cani e Luis Meçe kishin qenë duke luajtur futboll në Kavajë, dhe janë shoqëruar nga prindërit e Luisit në kthim.
Sakaq, është biseduar për mundësinë që shokët të kenë debatuar në celular me autorët e ngjarjes, ku prokurorja është shprehur “mbase prindërit kanë qenë në gjumë”.
Babai i Luisit ishte shprehur: “Ju po flini gjumë me dosjen, ne na zien zemra çdo ditë”, ku më pas është larguar nga salla.
Kujtojmë se 14-vjeçari Martin Cani, humbi jetën pasi u godit me thikë në zemër nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli” në kryeqytet. Në këtë sherr mbeti i plagosur rëndë dhe shoku i Martinit, Luis Meçja, i cili fatmirësisht i bëri ballë plagëve të marra dhe tashmë gëzon shëndet të plotë./e.t