Nga Leonard Veizi
Ai ka qenë i ulur këmbëkryq këtu te ne. Fillimisht në mes të kryeqytetit, pastaj pak më poshtë mesit. Një qytet mbante emrin e tij. Një kombinat gjithashtu. Udhëheqësi na la kujtimet nga takimet me të. Toponimet e tij e rreth tij kanë mbetur akoma mes nesh. Dhe e kemi kaq të vështirë të ndahemi.
Ishte nga Gjeorgjia me origjinë, por në vendin ku mbretëroi po e nderojnë dhe sot, më shumë se 70 vjet pas vdekjes dhe heqjes së kufomës nga mauzoleumi.
Në Rusinë post-sovjetike, në këto ditë të vitit 2025, po shfaqet sërish hija e Stalinit. Diku një bust, diku një basoreliev, dhe guximi ka shkuar deri tek restaurimi i një paneli të madh që paraqet Josif Stalinin brenda stacionit qendror të metrosë në kryeqytetin rus. Të gjitha këto pamje janë shfaqur në edicione lajmesh në televizionet kryesore, ku kronikat përkatëse zinin rreth 90 sekonda në minutazh.
Është njëlloj sikur në lajmet shqiptare të raportohej se, në Shqipërinë post-komuniste, bronzi i monumenteve të rrënuara të Enver Hoxhës po saldohet për t’u rikthyer në piedestalet e mbetura bosh – nëse nuk është ndërtuar ndërkohë ndonjë pallat aty.
Më keq akoma do të ishte nëse një skenar i tillë do të ndodhte në Gjermaninë post-naziste, ku pamjet e transmetuara do të përfshinin shtatore të Adolf Hitlerit të ngritura në këmbë, nën nderimin karakteristik alla-Adolf.
Atëherë s’do mbeste gjë tjetër, veç muzeu i Aushvicit të kthehej përsëri në kamp.
Nëse këto merren si raste të izoluara, këtu e atje, mund të duken si supozime absurde. Por në fakt, rehabilitimi i Stalinit në Rusi nuk është më thjesht një hipotezë.
Tek e fundit, 90 sekonda nuk janë shumë për t’i rënë këmbanës së alarmit. Sepse Moska është në luftë tashmë. Por Tirana vazhdon të jetë ende larg.
Pas vdekjes së Josif Stalinit në vitin 1953, Bashkimi Sovjetik, nën drejtimin e Nikita Hrushovit si Sekretar i Parë, nisi një proces të thellë “de-stalinizimi” me synimin për të zhbërë ndikimin e kultit të personalitetit dhe për të denoncuar terrorin masiv që shoqëroi sundimin e tij. Ky proces përfshiu heqjen e statujave dhe busteve të diktatorit gjeorgjian në të gjithë hapësirën sovjetike — përfshirë edhe Shqipërinë, e cila në atë kohë ishte një nga aleatët më të ngushtë të Moskës dhe një nga vendet më të stalinizuara në botë. Me këtë lëvizje, Hrushovi synonte jo vetëm të rivendoste besueshmërinë e Partisë Komuniste, por edhe të krijonte një formë më të butë dhe më pragmatiste të socializmit.
Kështu, në vendin e Stalinit u vendos përmendorja e Skënderbeut, dhe Stalini u shty ca më tutje – në krah të Hotel Dajtit. Por në lagjen ku ishte ndërtuar Kombinati i Tekstileve, ai lartohej më shumë se në Moskë.
Hrushovit nuk i ngritëm ndonjë monument. Edhe një pemë që nguli, nga inati ia shkulëm kur u prishën marrëdhëniet. Sepse pas Kongresit të XX të Partisë Komuniste në BRSS, era e ndryshimeve erdhi deri në Shqipëri me motivin e reformave. “Stalinit të ri” po i dridhej toka nën këmbë.
Heqja e monumenteve, ndryshimi i emrave të rrugëve dhe fshirja graduale e kujtesës së Stalinit nga harta ideologjike përfaqësonin një përpjekje për të ndërprerë ciklin e dhunës dhe për të shmangur përsëritjen e tragjedive të së kaluarës. Ishte një kthesë e brendshme e vetëdijshme, një kritikë e heshtur ndaj regjimit të frikës që kishte përfshirë kontinentin.
Por fati historik në Shqipëri ka treguar jo rrallë që qe ai bashkë me ne lëvizim në invers.
Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik në fund të viteve ’50, stalinizmi në Shqipëri u forcua si ideologji shtetërore. Ndaj u bëmë një nga vendet më të izoluara dhe më të egra në përqafimin e modelit totalitar stalinist. Shtatorja e Stalinit në qendër të Tiranës u mbajt si simbol i lidhjes së fortë të regjimit shqiptar me liderin sovjetik dhe me një rend politik represiv. Kjo shtatore u hoq vetëm në vitet 1990, me rënien e komunizmit dhe hapjen e Shqipërisë drejt demokracisë, duke shënuar simbolikisht ndarjen me një të kaluar të errët.
Megjithatë, në kontrast me këtë proces historik, gjatë dekadës së fundit – veçanërisht me rritjen e autoritarizmit nën Vladimir Putinin – është vënë re një tendencë e qartë për rehabilitimin e figurës së Stalinit. Në shumë qytete të Rusisë, përfshirë edhe Moskën, janë vendosur monumente të reja dhe janë rihapur debatet mbi rolin e tij historik. Kjo prirje reflekton një strategji të qëllimshme për të ndërtuar një identitet kombëtar mbi mitin e udhëheqësit të fortë dhe për të justifikuar një shtet të centralizuar dhe të pakontestueshëm.
Në këtë kontekst, figura e Stalinit përçohet jo më si një diktator përgjegjës për miliona viktima, por si një prijës i lavdishëm i fitores mbi nazizmin dhe industrializimit të vendit. Rehabilitimi i tij nuk është vetëm një operacion historik, por një manovër politike për të konsoliduar pushtetin dhe për të ngulitur në vetëdijen kolektive idenë se sakrifica ekstreme është e justifikueshme për hir të madhështisë kombëtare.
Kjo është veçanërisht shqetësuese për shoqëritë që kanë kaluar trauma të ngjashme. Rehabilitimi i autoritarizmit, qoftë edhe në mënyrë simbolike, krijon një precedent të rrezikshëm, sidomos në vende si Shqipëria, ku kujtesa historike është ende e brishtë dhe shpesh e instrumentalizueshme. Pyetjet që lindin janë thelbësore: A do të vijë një ditë kur diktatorët tanë do të rishfaqen në formë monumentesh? A është demokracia jonë mjaftueshëm e qëndrueshme për të mos rënë në grackën e një nostalgjie të rreme?
Në përfundim, krahasimi ndërmjet procesit të de-stalinizimit në Shqipëri dhe Bashkimin Sovjetik me rehabilitimin aktual të Stalinit në Rusi tregon se historia nuk është thjesht një rrëfim i së shkuarës. Ajo është një mjet i fuqishëm për të ndërtuar narrativën e së ardhmes. Shqipëria e pas viteve ’90 hodhi poshtë simbolet e diktaturës dhe u përpoq të ndërtonte një shoqëri të lirë. Rusia, përkundrazi, duket se po kthehet pas, duke rizbuluar me krenari hijet e një të kaluare të frikshme dhe të përgjakshme.
Gjithsesi, edhe në Shqipëri duhet pasur mendja: mund të ndodhë që, ndërsa je duke fjetur mbi petale, të zgjohesh një mëngjes mbi gjëmbat e trëndafilit.
Dhe ne i kemi gati monumentet e tij.