Mjekja mikrobiologë e njësisë vendore të Kujdesit Shëndetësor në qytetin e Gramshit Dafina Shtylla në një intervistë me gazetarin Osman Stafa, ka deklaruar se janë 5 raste me salmonelë të konfirmuar mes rasteve të dyshuara për helmim në kopshin publik nr.1 në Gramsh.
Mjekja tha se aktualisht gjendja e fëmijëve është në kontroll. Sipas saj janë bërë afro 80 analiza në Institutin e Shëndetit Publik, ndërkohë që ditën e hënë pritet të kryhen analiza specifike nga një ekip mikro-biologësh për të vijuar me hetimin epidemiologjik sipas protokollit të shëndetit publik.
Nga ana tjetër, mjekja i ka bërë apel prindërve që të mos i kurojnë fëmijët në shtëpi, por për çdo situatë të agravuar të kërkojnë ndihmën e speciluar në spital.
“Është situatë jo e lehtë por ne do ta përballojmë. Salmonela është e vështirë të ekzaminohet në analiza, por ne kemi marrë përgjigje nga laboratori i referimit në ISHP se janë deri tani 5 raste me salmonelë. Kjo sëmundje bakteriale zakonisht merret nga goja ndaj dhe njihet më së shumti “sëmundja e duarve të palara”, tha mjekja./E.T