Në zemër të Parkut Kombëtar Shebenik, në Fushë-Studën, një prej vendeve më të bukura dhe të paprekura të Shqipërisë , këtë javë u zhvillua festivali “Shebeniku Feston”, një ngjarje e dedikuar promovimit të turizmit malor dhe kulturor.
Nën kujdesin e Drejtorit të Zonave të Mbrojtura, Fatmir Brazhda, me mbështetjen e Bashkisë së Librazhdit dhe komunitetit vendas, kjo ngjarje solli në fokus bukuritë natyrore dhe trashëgiminë unike të kësaj zone.
Parku Kombëtar Shebenik, i cili ka këtë status që prej 17 vitesh, ndodhet në lindje të Shqipërisë dhe kufizohet me Maqedoninë e Veriut. Zona është e njohur për biodiversitetin e pasur në Ballkan dhe për habitatet natyrore të arinjve, rrëqebujve të Ballkanit dhe shumë specieve të tjera të mbrojtura.
Fushë-Studën ofron një peizazh të mrekullueshëm, një luginë e gjelbër mes maleve të larta, me përrenj të kristaltë, livadhe alpine dhe pyje të dendura. Në këtë ambient të mrekullueshëm u zhvillua festa që lidh natyrën me kulturën dhe traditat lokale.
Vizitorët u pritën me një atmosferë ngrohtë dhe autentike, ku gratë dhe vajzat e zonës shërbyen gatime tradicionale të Librazhdit – byrek me hithra, gjella me kërpudha mali dhe ëmbëlsira sipas recetave të vjetra, të gjitha organike dhe plot shije.
Ansamblet popullore lokale performuan valle dhe këngë tradicionale, duke krijuar një ambient festiv që përçonte gjallëri dhe paqe njëkohësisht.
Kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Mariglen Dusha, i pranishëm në aktivitet, theksoi rëndësinë e Parkut Shebenik për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe ruajtjen e identitetit lokal.
Ai bëri thirrje që zona të vizitohet nga të gjithë shqiptarët dhe turistët e huaj, duke theksuar potencialin e saj si burim zhvillimi ekonomik përmes turizmit ekologjik dhe kulturor.
Drejtori i Zonave të Mbrojtura, Fatmir Brazhda, shtoi se ky aktivitet synon jo vetëm promovimin e turizmit, por edhe ndërgjegjësimin për ruajtjen e natyrës dhe trashëgimisë kulturore.
“Shebeniku është një nga zonat më të mbrojtura në vend dhe ne duam ta ruajmë kështu, duke e bërë të njohur për botën. Festat si kjo janë mënyra më e mirë për të edukuar dhe bashkëpunuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm,” u shpreh ai.
Ky event është pjesë e një nisme më të gjerë që bashkon institucionet shtetërore, autoritetet vendore dhe komunitetet lokale për të zhvilluar turizmin e qëndrueshëm në zonat e mbrojtura.
Përmes këtyre aktiviteteve synohet të rritet numri i vizitorëve dhe të forcohet ndjeshmëria për mbrojtjen e mjedisit dhe vlerave autentike natyrore e kulturore.
Shebeniku nuk është vetëm një park, por një përvojë unike që nuk duhet humbur. Ftesa është e hapur për të gjithë: të vini dhe të shijoni natyrën, mikpritjen dhe shpirtin e vërtetë shqiptar në një nga perlave më të rralla të Ballkanit./E.T