Një zjarr i qëllimshëm në një nënstacion elektrik në perëndim të qytetit të Nices ka shkaktuar ndërprerje të gjerë të energjisë elektrike në rajon, duke lënë pa drita të paktën 45 mijë shtëpi në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Incidenti ndodhi vetëm një ditë pas një tjetër ndërprerjeje masive në qytetin fqinj të Kanës, në kulmin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit.
Sipas autoriteteve lokale, zjarri në Nice shpërtheu rreth orës 02:00 pas mesnate dhe dyshohet të ketë qenë rezultat i një akti sabotimi. Policia raportoi se dera e nënstacionit ishte “e thyer”, ndërsa u zbuluan edhe gjurmë gomash në vendngjarje.
Aeroporti iNices, rrjeti i tramvajit dhe disa qytete përreth u prekën nga ndërprerja, por furnizimi me energji u rivendos pjesërisht në orët e para të mëngjesit.
Ndërkohë, në Kanë, një ditë më parë, një akt tjetër sabotimi kishte goditur qytetin gjatë zhvillimit të festivalit. Prokurori i Grasse njoftoi se tre nga katër shtyllat e një linje të tensionit të lartë ishin “sharruar me qëllim”, duke lënë pa energji elektrike një pjesë të madhe të qytetit. Disa shfaqje të festivalit u ndërprenë, por organizatorët arritën të përdorin gjeneratorë për të vazhduar aktivitetet. m.p.