Dr. Alaa al-Najjar i la dhjetë fëmijët e saj në shtëpi të premten kur shkoi në punë, në dhomën e urgjencës në Kompleksin Mjekësor Nasser në Gazën jugore. Orë më vonë, trupat e shtatë fëmijëve – shumica e të cilëve të djegur rëndë – mbërritën në spital.
Ata ishin fëmijët e vetë Dr. Najjar, të vrarë në një sulm ajror izraelit në shtëpinë e familjes së saj, tha Mbrojtja Civile e Gazës. Trupat e dy të tjerëve – një fëmije 7 muajsh dhe një dyvjeçar – mbetën të bllokuar nën rrënoja.
Vetëm një nga dhjetë fëmijët e saj, Adam 11-vjeçar, mbijetoi. Burri i Dr. Najjar, Hamdi, vetë mjek, u plagos gjithashtu rëndë në sulm. Mbrojtja Civile dhe Ministria e Shëndetësisë thonë se shtëpia e familjes, në një lagje të Khan Younis në Gazën jugore, u shënjestrua nga një sulm ajror izraelit.
Në përgjigje të një kërkese të CNN për koment, ushtria izraelite tha se avionët kishin “goditur një numër të dyshuarish të cilët u identifikuan duke vepruar nga një strukturë ngjitur me trupat e IDF në zonën e Khan Younis”.
Shefi ushtarak i Izraelit, Eyal Zamir, shkoi në Khan Younis të dielën, sipas një deklarate nga IDF.
“Hamasi është nën një presion të jashtëzakonshëm—ka humbur shumicën e aseteve të tij dhe komandën e kontrollin. Ne do të përdorim çdo mjet që kemi në dispozicion për të sjellë pengjet në shtëpi, për të shpërbërë Hamasin dhe për të çmontuar sundimin e tij”, u tha Zamir trupave, duke shtuar se ushtria tani duhet të shkatërrojë brigadën Khan Younis të Hamasit.
Kur Adami, fëmija i vetëm që mbijetoi, doli nga salla e operacionit, ai thirri motrën e tij Evën, duke thënë: “Ka gjak në pemë”. Njëri krah i Adamit është plagosur rëndë dhe ai do të ketë nevojë për një operacion tjetër brenda pak ditësh. Babai i tij, Hamdiu, mbetet në gjendje kritike.
Në një mesazh ngushëllimi për Dr. Najjar, Ministria Palestineze e Shëndetësisë në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli tha se ajo do të mbahet mend gjithmonë si “gruaja e palëkundur palestineze dhe mjekja fisnike që shëron plagët e të tjerëve ndërsa mban dhimbjen e saj në heshtje”.
“Ky krim i tmerrshëm nuk është një incident i izoluar, por pjesë e një shënjestrimi sistematik të personelit mjekësor dhe institucioneve, që synon thyerjen e vullnetit të atyre që qëndrojnë të palëkundur në Gaza”, ka thënë Ministria Palestineze e Shëndetësisë në Bregun Perëndimor.
Dr. Najjar, 38 vjeç, është pediatre, por si shumica e mjekëve në Gaza, ajo ka punuar në dhomën e urgjencës gjatë sulmit të Izraelit në territor. m.p.