Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë të diel pamje nga Lumi i Vjosës, i cilësuar si “lumi i fundit i egër në Europë”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shkruan se Lumi i Vjosës po tërheq gjithnjë e më shumë turistë të huaj e vendas të pasionuar pas aventurës.
“Në brigjet e lumit të fundit të egër në Europë, ku turistë nga çdo cep i botës dhe vendas të pasionuar pas aventurës gjejnë eksperiencën unike,” shkruan Rama, duke ndarë edhe imazhe nga aktivitetet turistike përgjatë Vjosës.
Vjosa, lumi i fundit i egër në Europë është shpallur Park Kombëtar (Kategoria II e zonave të mbrojtura mjedisore), më 15 mars 2023, nga burimi i tij deri te derdhja në det, duke përfshirë të gjitha degët, i ofrohet mbrojtje e plotë kombëtare dhe ndërkufitare. Vjosa, do të jetë një Park Kombëtar unik për Shqipërinë po edhe për Europën, i cili e fut vendin tonë në një tjetër kategori të hartës turistike europiane.