Policia Kufitare e Vlorës dhe Roja Bregdetare i kanë ardhur në ndihmë dy turistëve të huaj që lundronin me një veliere, e cila kishte pësuar defekt në motor dhe kishin mbetur në det të hapur.
Personat që ishin në bordin e mjeti lundrues, i cili ndodhej rreth 5 milje në det të hapur, përballë Gjirit të Gramës, rrezikoheshin edhe për shkak të dallgëve të mëdha.
Pasi u shpëtuan nga policia, ata ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa u bë e mundur edhe shoqërimi i velieres në gjirin e Portopalermos.
Gjatë ditës së sotme, DVKM Vlorë ka marrë njoftim se dy shtetas të huaj, në bordin e një mjeti lundrues që ndodhej rreth 5 milje në det të hapur, përballë Gjirit të Gramës, kishin nevojë për ndihmë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë Kufitare, ku mjeti lundrues i Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi është nisur drejt koordinatave të dhëna, për të bërë të mundur lokalizimin dhe ndihmën ndaj dy shtetasve, të cilët rrezikoheshin edhe për shkak të dallgëve. Njëkohësisht, patrulla kufitare tokësore ka mbajtur nën vëzhgim të vazhdueshëm velieren.
Pavarësisht kushteve të vështira, pas disa orësh ndërhyrjeje dhe në koordinim e bashkëpunim me ekuipazhin e Rojës Bregdetare, u bë e mundur shoqërimi i velieres dhe drejtimi i saj i sigurt në gjirin e Portopalermos. Dy shtetasit e huaj ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore’, njoftoi sot policia. m.p.