Nga muaji korrik çdo kredi e re që do jepet nga sistemi bankar për blerje banese do t’i nënshtrohet kritereve të reja. Banka e Shqipërisë vendosi disa masa kufizuese në këtë treg, duke hequr mundësinë që blerja e një prone të bëhet 100% me kredi. Konkretisht qytetarët do të financohet 85-80% të vlerës me kredi, për shtëpinë e parë dhe të dytë, nëse kredia është në lekë. Nëse është në valutë 75-70%.
Klodion Shehu, drejtor i Stabilitetit Financiar në bankën qëndrore, i ftuar në emisionin “E-ZONE”, shpjegoi arsyet pse ishte i nevojshëm ky kufizim.
“Ne vlerësojmë se aktualisht situata ekonomike është pozitive. Kemi rritje të ekonomisë, rritje të të ardhurave, rritje të kreditimit dhe norma interesi konkurruese. Historia e vendeve të tjera na ka treguar se pikërisht kur kemi situatë pozitive rreziqet fillojnë të akumulohen.
Paralelisht çmimet kanë pësuar një rritje të vazhdueshme, por ritmi i rritjes kohët e fundit ka qenë më i shpejtë sidomos gjatë 2024. Pra situata e mirë ekonomike dhe rritja e vazhdueshme dhe e shpejtë e çmimeve janë dy arsye.
Por rreziku është nëse vijohet me këtë ritëm, gjasat janë që tregu të shkojë drejt një cikli vetpërmbushës, ku rritja e kreditimit mbështet rritjen e çmimeve të pronave”, shpjegoi Shehu në “E-ZONE”.
Paralelisht me kufizimin e masës së financimit, BSH ka kufizuar edhe atë që njihet si kësti mujor i kredisë në raport me të ardhurat. Kësti mujorë nuk do të kalojë më shumë se 40% të të ardhurave mujore të individit që kërkon kredi.
Por edhe pse kërkesa për të blerë banesa me 100% të vlerës me kredi, nuk janë praktika dominuese në treg, sipas të dhënave nga banka ato po rriteshin me ritëm të shpejtë kohët e fundit. Por çfarë efektesh pret Banka e Shqipërisë në treg me këto masa?
“Synimi jonë nuk ka qenë niveli i çmimeve. Sigurisht mund të ketë edhe ndonjë efekt në ulje të tyre. Ne duam që zhvillimet e çmimeve në këtë treg të jetë në përputhje me ecurinë e të ardhurave të shqiptarëve.
Nëse çmimet rriten më shpejt se të ardhurat, gjithmonë ekziston rreziku që të shkëputen nga faktorët bazë që përcaktojnë çmimin e pasurive të patundshme. Efekti i tyre do të shihet cili do të jetë.
Këto masa merren për herë të parë nga ana e Bankës Qendrore. Do ta monitorojmë ndikimin. Masat janë në fuqi për dy vitet në vazhdim dhe më pas do të rivlerësohen”, tha Shehu në Vizon Plus.
Me këto masa Banka Qendrore synon të mbrojë qytetarët nga borxhet e tepërta, të mbrojë bankat nga kreditë e këqija, të frenojë rritjen e shpejtë të çmimeve në treg si dhe të kontrollojë rrezikun nga kreditë në valutë./e.t