Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot se drejtësia në Shqipëri funksionon në mënyrë të pavarur dhe e pandikuar nga politika, duke theksuar se edhe vetë shteti është përballur me vendime të papritura gjyqësore.
Duke marrë një shembull konkret, Rama tha se shteti shqiptar ka humbur një gjyq në Apel, ku është urdhëruar të paguajë 500 mijë euro për një përplasje me makinë të ndodhur tetë vite më parë, ndonëse nuk ka pasur të vdekur apo të plagosur.
‘Ne nuk japim dot drejtësi për shumë shqiptarë që enden për drejtësi. Kemi humbur një gjyq në Apel ku i kërkohet shtetit të paguajë 500 mijë euro për një përplasje me makinë 8 vite më parë, ku nuk ka pasur as të vdekur e të plagosur, por shoferi me shoferen kanë pasur vizionin të hedhin shtetin në gjyq për rrezikun e jetës. Vendimi është marr brenda një dite dhe shteti është goditur me 500 mijë euro. As për shtetin ne nuk i korrigjojmë dot gafat që ndodhin në sallat e gjyqeve. Ne nuk kemi në dorë fatin e askujt prapa dyerve të pushteti gjyqësor. Por ne kemi në dorë që të udhëheqim me forcën e shembullit të jemi sa më të drejtë ne dhe të jemi mburojë e pathyeshme e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë duke nisur nga SPAK që do të vijojmë që ta mbështesim’, tha ai. m.p.