Hamasi ka rënë dakord me një propozim të të dërguarit të posaçëm të SHBA-së, Steve Ëitkoff, për një armëpushim në Gaza, duke hapur rrugën për një përfundim të mundshëm të luftës. Kjo është bërë e ditur për Reuters nga një zyrtar palestinez pranë grupit.
Propozimi i ri, i cili parashikon lirimin e dhjetë pengjeve dhe 70 ditë armëpushim, u pranua nga Hamasi nëpërmjet ndërmjetësve.
“Propozimi përfshin lirimin e dhjetë pengjeve izraelite të gjalla të mbajtura nga Hamasi në dy grupe në këmbim të një armëpushimi 70-ditor dhe një tërheqjeje të pjesshme nga Rripi i Gazës”, tha burimi për Reuters, citon A2 CNN.
Propozimi parashikon gjithashtu lirimin e një numri të burgosurish palestinezë nga Izraeli, përfshirë qindra prej atyre që vuajnë dënime të gjata me burg. Ende nuk ka asnjë koment të menjëhershëm nga Izraeli.
Më herët ushtria izraelite njoftoi se ka nisur një operacion ushtarak “të paprecedentë” kundër aftësive të grupeve të armatosura që vazhdojnë të qëllojnë me raketa drejt Izraelit nga zona Khan Younis në Rripin jugor të Gazës. IDF urdhëroi evakuimin e menjëhershëm të banorëve nga lagjet Al-Qarara, Bani Suheila dhe Abasan drejt zonës Al-Maëasi, në perëndim.
Sipas njoftimit, zona konsiderohet e rrezikshme dhe janë lëshuar paralajmërime të shumta në të kaluarën. Spitalet Nasser dhe Al-Amal u përjashtuan nga urdhri i evakuimit. m.p.