Regjizori Kiço Londo ka reaguar pas vdekjes tragjike të 52-vjeçarit ditën e djeshme në zonën e “Myslym Shyrit”.
Londo shprehet i trishtuar për ikjen e Benit, i cili siç e përshkruan regjizori, ishte një person i palodhur dhe i kurdogjetur për të gjithë, pra një “hero i jetës së përditshme”. Lavdi Zotit që kemi fuqi dhe punojmë”, ishin fjalët e Benit në përditshmëri, i cili fatkeqësisht humbi jetën pas një aksidenti në punë.
“LAMTUMIRË BEN…
Sot mëngjesi im nuk pati rutinën e zakonshme që fillon me një kafe. Mora një lajm të trishtuar dhe kafja që pija mu duk më e hidhur se kurrë. Jo vetëm për mua, por për shumicën e banorëve të “Myslym Shyrit”. U nda nga jeta Beni, shpirti i papërtuar dhe i kudogjendur i mëhallës. Heroi i jetës së përditshme. Një punëtor i jashtëzakonshëm dhe i palodhur, në shërbim të kujtdo që e kërkonte për ta ndihmuar. E përditshmja e tij ishte një lodhje e pafund që të mbijetonte, por ai ishte optimist. Nuk ankohej.”Lavdi Zotit që kemi fuqi dhe punojmë” – thoshte. Mbrëmë fati ja ndaloi lodhjen. Deri këtu Beni. Nga tani e tutje Zoti do kujdeset që të tjerët të të shërbejnë ty. Parajsë të bukur komshiu im Beni”, shkruan Kiço Londo.
52-vjeçari humbi jetën ditën e djeshme teksa ishte duke çmontuar dhe hequr bolierin e ujit, ndërsa i ra në kokë duke i shkaktuar plagë fatale për jetën. m.p.