Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka tha se rezultati i opozitës në zgjedhjet e 11 majit është i turpshëm, pasi mundësoi Ramës qëndrimin në pushtet, madje duke shtuar vendet në Parlament.
“Strukturat dhe grupi parlamentar që është ende, duhet të bëjë një analizë pse ne i kemi dhënë Ramës 83 mandate të frikshme”, tha ajo.
“Në betejën e tij personale, zoti Berisha ka fituar. Edhe politikisht. Tani nuk është më një grup me 10 vetë, por me 42. Çështja është, a është kjo një fuqi në Parlament, për të ndryshuar, për të vendosur? Jo! Sepse mund të jenë besnikë të tij personal por jo një armatë që mban përgjegjësi dhe mund të ndikojë në jetën politike shqiptare. Bashkë në Parlament nuk do të ndikojnë. Kjo është gjëja më e trishtueshme e këtij Parlamenti. Aq më shumë që pritet të ketë probleme. Sepse përderisa zoti Berisha nuk i pranon zgjedhjet, do të thotë që nuk do të hyjë në Parlament. Atëherë, çfarë presim…?”.
Zoti Berisha, pavarësisht se sot, nuk është më kryetari i Partisë, sipas atij statuti, jo sipas dëshirës sime, kjo nuk do të thotë që partia nuk mund të hyjë në proces reflektimi, analize. Edhe vetë zoti Berisha mund ta drejtojë këtë proces. Madje mund të fusë partinë në zgjedhje dhe ata që mëtojnë të jenë kryetarë, ne t’i njohim, t’i shohim çfarë projekti politik kanë dhe çfarë garancie i japin demokratëve. Nëse nuk ndodh kjo, PD do të kthehet në bunkerizimin e vet, me ata njerëz që janë besnike të zotit Berisha… Mendoj se zoti Berisha ka edhe përgjegjësinë finale para se të largohet që ta çojë PD drejt demokratizimit”, u shpreh Açka./kb