Djali i regjisorit të njohur shqiptar Piro Milkani, Eno Milkani ka falënderuar mjekët e QSUT për shërbimin e tyre në ditët e fundit të jetës së babait të tij. Në një postim në rrjete sociale, ai shpreh falenderime për stafin mjekësor për përkushtimin që treguan për të atin gjatë këtyre ditëve të vështira.
“Piro iku. Por në 10 ditët e fundit, ata që i qëndruan më pranë ishin mjekët dhe infermierët e spitalit në QSUT. I shërbyen me përkushtim, jo vetëm atij, por edhe çdo pacienti tjetër që ndodhej aty. Doja t’i përqafoja dhe t’ju puthja duart këtyre profesionistëve, të cilët çdo ditë lehtësojnë shqetësimet dhe dhimbjet e familjarëve. Shpresoj të mi lexojnë këto fjalë zemre, sepse shpeshherë, kur nuk i kemi në nevojë, duket sikur i harrojmë. Djem e vajza të rinj në moshë, njerëzorë në komunikim dhe hyjnorë në shërbim. Ju falënderoj!”, ka shkruar Eno.
Një ditë më parë, në një intervistë të dhënë për Report TV, djali i Milkanit u shpreh se ai ndihej i realizuar pasi kishte provuar edhe skenarin dhe aktrimin. Ai tha se megjithëse ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore, ditët e fundit kishte besimin se do të shërohej.
“E ndjente veten shumë të realizuar, sepse e thoshte e provoi skenari dhe aktrimin. Gjatë kësaj periudhe kishte ulje të rezistencës të organeve jetësore, por nuk e humbiste besimin thoshte do shërohem dhe kështu do të inkurajonim njëri-tjetrin. Në tre ditët e fundit reagonte shumë pak, derisa u shua dje. ‘Zonja nga Qyteti’ ka qenë një nga filmat e tij të preferuar. Mendonte që edhe të rinjve duhet tu jepet mundësi për të bërë filma, sepse vetëm duke e kultivuar mund ta mbash gjallë kinematografinë”, tha Eno Milkani.
Piro Milkani u përcoll për në banesën e fundit mesditën e së dielës. Në një ceremoni private të afërm, kolegë, bashkëpunëtorë dhe miq nderuan me homazhe regjisorin e mirënjohur, kontributi i të cilit është i jashtëzakonshëm dhe i paharrueshëm në artin shqiptar./E.T