“Këto zgjedhje kurrë nuk do të njihen”. Ky është togfjalëshi më i përdorur nga Sali Berisha në deklaratat e tij publike të ditëve të fundit. Kryedemokrati premton se zgjedhjet e 11 majit nuk do të njihen kurrë, por përjashton rrugën e bojkotit dhe të dhunës, teksa tregon mënyrën se si do të vijojnë betejën e tyre.
“Rruga në të cilin ne marrim pjesë në proces, paraqesim të gjitha dokumentet e vërteta që ishte farsë dhe ftojmë shqiptarët të luftojnë për votën e tyre. Të dyja janë të vështira, por kjo e dyta ka një mbështetje ndërkombëtare”, tha ai, raporton A2 CNN.
I pyetur nëse është opsion greva e urisë, pohoi se asnjë variant nuk përjashtohet. “Absolutisht i gatshëm ta udhëheq deri në fitore. Me shembullin personal, tu rikthej shqiptarëve votën e lirë. Asgjë nuk përjashtohet, asnjë variant”.
Ndërkohë që denoncimet e demokratëve vijojnë, Komisioneri i zgjedhjeve Ilirjan Celibashi ka nisur të miratojë rezultatet paraprake të zgjedhjeve, por Berisha pohon se çdo vendim i KQZ-së do të ankimohet.
“PD do kërkojë pavlefshmëri dhe të gjitha llojet e ankesave. Farsa është një shkelje universale e ligjeve, e normave, e kritereve. Për ta thënë me një fjalë. Merrni deklaratën e Edi Ramës se kodi zgjedhor është një kinezëri. Që në këtë moment i dëshmon se do zhvillojë farsë dhe jo zgjedhje”, tha ai.
Kreu i Partisë Demokratike komentoi edhe një betejë të brendshme brenda radhëve të demokratëve, ku Adriana Kalaja prej ditësh ka hedhur akuza ndaj Jorida Tabakut për blerje votash dhe mbështetje nga qeveria. Berisha i doli në mbrojtje deputetes Tabaku, por shtoi se çdokush që ka pretendime për rezultatin të ndjekë rrugën ligjore. m.p.