Pas certifikimit të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror Zgjedhor, Partia Demokratike do të fillojë luftën institucionale për ti kontestuar ato. Përfaqësuesit ligjor po bëjnë gati raportet për të shkuar në KAS dhe Kolegj Zgjedhor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbyllur zyrtarisht procesin zgjedhor të 11 majit, duke certifikuar rezultatin përfundimtar në të gjitha qarqet e vendit. Sipas KQZ-së, Partia Socialiste doli fituese me 83 mandate, ndërsa Partia Demokratike siguroi 50 mandate, në një proces të shoqëruar me polemika dhe kontestime politike që përfshinë gjithë fushatën. Rezultatet për diasporën i dhanë një tjetër goditje opozitës, pasi socialistët fituan bindshëm edhe në këtë komponent të ri zgjedhor, duke i shtuar legjitimitetin politik fitores së tyre. Pavarësisht certifikimit zyrtar nga ana e institucionit më të lartë zgjedhor, Partia Demokratike nuk e njeh rezultatin dhe ka paralajmëruar se do ndjekë të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar atë.
PD nuk tërhiqet: Nis betejën në KAS dhe Gjykatë
Kryetari i Partisë Demoktatike Sali Berisha ka konfirmuar se përfaqësuesit ligjorë të forcës opozitare janë duke përgatitur ankimimet që do të paraqiten në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), e më pas, nëse nuk marrin përgjigje të kënaqshme, në Kolegj Zgjedhor. Sipas PD-së, zgjedhjet nuk kanë qenë as të lira dhe as të ndershme, duke argumentuar për parregullsi, abuzime me burimet shtetërore dhe presion ndaj administratës. Kjo linjë politike është ndjekur që përpara nisjes së procesit zgjedhor, kur vetë lideri i PD-së, Sali Berisha, e cilësoi garën një mashtrim të orkestruar nga qeveria. Por pas certifikimit të rezultatit, retorika e Berishës është edhe më e ashpër. Në një deklaratë për mediat, i pyetur nëse do të tërhiqet nga drejtimi i Partisë Demokratike pas këtij rezultati, Sali Berisha u përgjigj shkurt: “Kush e nisi, do ta bitisë.” Një mesazh i qartë se ai nuk ka ndërmend të dorëzojë drejtimin e opozitës, pavarësisht presionit të brendshëm apo humbjes së thellë në zgjedhje. Berisha ka lënë të kuptohet se beteja politike nuk do të ndalet vetëm në ankimimet për zgjedhjet parlamentare, por mund të zgjerohet edhe në drejtim të proceseve të ardhshme, përfshirë zgjedhjet lokale. Zgjedhjet e 11 majit kanë rikthyer në vëmendje përplasjen e hershme për legjitimitetin e proceseve elektorale në Shqipëri. Në njërën anë, PS flet për një fitore të qartë e të ndershme që u certifikua nga institucionet. Në anën tjetër, PD ngul këmbë në denoncimin e shkeljeve, duke rikthyer në tryezë debatin për reformën zgjedhore dhe standardet demokratike në vend. Në javët në vijim, KAS dhe Kolegji Zgjedhor do të jenë skenat kryesore të një beteje që, për PD-në, nuk është vetëm ligjore, por edhe politike: një përpjekje për të ruajtur terrenin dhe për të rindërtuar besimin tek votuesit e saj në një kohë krize të thellë të brendshme.