Kryeministri Edi Rama ka mbledhur pasditen e sotme të gjithë ekipin e Partisë Socialiste që garoi në zgjedhjet e 11 Majit për të festuar fitoren e thellë me 83 mandate.
Kreu i qeverisë u shpreh se ata që nuk fituan apo nuk u përfshinë në zgjedhjet parlamentare, do të angazhohen në detyra të tjera nëse do të jenë të gatshëm. Kreu i qeverisë nuk la pa përmendur edhe përplasjet e kandidatëve të Partisë Socialiste gjatë numërimit të votave preferenciale, situatë për të cilën Rama tha se “lufta” brenda familjes ka sjellë rendiment të lartë kolektiv.
“Ata që nuk fituan apo nuk u përfshinë në formacionet përfundimtare do t’i angazhojmë në detyra të tjera nëse do të jenë të gatshëm për këtë.
Disa nga shokët dhe shoqet që kishin rezerva për ashpërsimin e garës brenda llojit nga meraku i konfuzionit dhe sekëlldisë brenda familjes tonë, jam i bindur se përtej stresit, gara e brendshme solli rendiment të lartë kolektiv ndërsa madhështorët janë me kokë poshtë afro 14 shkallë nga 2021, në nivelin 32.9 për qind pasi zhvilluan në territor një garë aq inekzistente që më thoshin se nuk i shohim asgjëkundi.
Fatkeqësisht politika shqiptare do vazhdojë të mbetet e tillë, skizofrenike, e ndarë në dy universe paralele dhe ende më fatkeqësisht ky universi ynë, Shqipëria që përpiqet, punon, përparon, bie, ecën, ngrihet, gabon, vazhdon ecën përsëri, rritet dhe forcohet hap pas hapi, duke u respektuar ndërkombëtarisht dhe duke ngjitur gjithnjë e më shpejt shkallët drejt majës së anëtarësimit në BE do vazhdojë të mos reflektohet në pasqyrat mediatike përveçse si një bisht i një Shqipërie llafesh, sherresh e thashethemesh”, – tha Rama. m.p.