Dy herë fitues në listën e hapur të Tiranës (2021 dhe 2025), deputeti socialist, z. Fatmir Xhafaj, përmes një interviste ekskluzive për gazetën “Panorama” bën një analizë post-zgjedhore mbi modelin dhe sfidat e garës në këto zgjedhje. Z.Xhafaj flet për pritshmëritë dhe prioritetet në mandatin e katërt, opozitën, raportet e tij me Kryeministrin Rama dhe keqardhjen për mungesën e disa kolegëve në mandatin e ri.
Z.Xhafaj, më 11 maj ju zhvilluat dy beteja njëherësh, atë për nr.5 dhe atë personale si pjesë e listës së hapur në qarkun e Tiranës. Ku ishte fokusi më i madh?
Në këtë garë elektorale, natyrisht që beteja për PS-në, për fitoren e numrit 5, ishte një prioritet madhor për të gjithë ekipin tonë, sepse është themeli mbi të cilin ndërtohet çdo arritje kolektive dhe kushti kryesor që e bën të suksesshëm rezultatin individual dhe që i jep vlerë çdo mandati të marrë. Gara personale në listën e hapur kërkonte një angazhim të dyfishtë: përtej përfaqësimit të forcës sonë politike në zonën përkatëse – Njësia 10, të isha i pranishëm dhe aktiv në të gjithë qarkun e Tiranës, të dëgjoja dhe të komunikoja me sa më shumë zgjedhës, duke ndërtuar një marrëdhënie të drejtpërdrejtë besimi me ta.
Kjo ishte një sfidë e madhe, por edhe një mundësi për të dëshmuar se përfaqësimi real vjen nga marrëdhënia me zgjedhësit, nga komunikimi i hapur me qytetarët dhe nga mbajtja e fjalës së dhënë. Fokusi im kryesor ka qenë dhe mbetet gjithmonë te qytetari dhe te përfaqësimi dinjitoz i vlerave të Partisë Socialiste, se si ato t’i kthej në angazhim aktiv, në shërbimin ndaj zgjedhësve të mi, në çuarjen përpara të kauzave që përfaqësoj e mbroj në politikë dhe në jetën parlamentare.
Sa e fortë ishte konkurrenca brenda llojit…?
Konkurrenca në listën e hapur kësaj radhe ishte më e fortë se në garat e mëparshme të këtij modeli. Kjo ndër të tjera, edhe sepse ishte hera e parë me këtë format në një garë elektorale, por ndikonte edhe pabarazia në ndarjen e territorit dhe mundësitë specifike favorizuese për kandidatë të veçantë, mungesa e disa rregullave të qarta të konkurrimit të brendshëm, numri i madh i kandidatëve të listës së hapur etj.. Gjithsesi, në një kuptim kjo garë, edhe pse e vështirë, kur është e drejtë, është një ushtrim i shëndetshëm për demokracinë e brendshme, sepse nxit meritokracinë, rrit përgjegjësinë dhe motivon secilin të japë më të mirën. Sistemi i listave të hapura, në thelb rrit peshën e votës së qytetarit për të zgjedhur jo vetëm forcën politike, por edhe përfaqësuesin konkret nga lista që i ofrohet. Çdo kandidat duhej të fitonte edhe besimin personal të zgjedhësve, përtej logos së partisë. Natyrisht, pati edhe raste të tejkalimit të kufijve etikë nga ndonjë kandidat, por personalisht zgjodha të fokusohem te gara e ideve dhe angazhimeve konkrete, duke ruajtur korrektësinë, etikën politike e njerëzore dhe respektin për kolegët.
Dy herë pjesë e listës së hapur, garuat dhe fituat sërish mandatin e deputetit. Si kanë ndikuar këto beteja personale te Fatmir Xhafaj?
Për mua personalisht kjo ishte hera e dytë në një garë të tillë, ku lidhej mandati me votën personale të marrë nga zgjedhësit. Në këtë kuptim ishte edhe hera e dytë e një sprove zjarri përmes një ushtrimi të drejtpërdrejtë konfirmimi për vlerat dhe integritetin individual në politik, për çfarë kam përfaqësuar e kam bërë në mandatin tim si përfaqësues dhe për të dëshmuar besimin e zgjedhësve ndaj meje. Këto beteja personale (dy herë konkurrim në sistem maxhoritar dhe dy herë në proporcional, por në listë të hapur) kanë qenë edhe një shkollë e vërtetë për mua, duke më konfirmuar edhe më tej bindjen se besimi i qytetarëve fitohet me punë të ndershme, me përkushtim dhe me transparencë. Ndryshe mund të fitosh një betejë, por jo më shumë dhe për më tepër në të njëjtën zonë elektorale prej disa mandatesh.
Në këndvështrimin tim, politika është një maratonë e gjatë dhe me shumë pengesa. Mund t’ia dalësh gjatë dhe të fitosh përmes votës së drejtpërdrejtë të zgjedhësve nëse mbetesh vetvetja dhe besnik i kauzave që iu shërbejnë interesave të qytetarëve. Çdo garë më ka bërë më të vetëdijshëm për përgjegjësinë që mbart një mandat, më ka afruar më shumë me njerëzit dhe më ka dhënë mundësinë të dëgjoj, të reflektoj dhe të përmirësohem dhe kryesorja më ka bërë më të vendosur në vlerat e kauzat që mbroj.
Gjatë kësaj rruge, a kishte pengesa të ngritura ndaj jush…?
Po, gjatë kësaj rruge nuk kanë munguar pengesat, ishte një garë e vështirë, shumë konkurruese, me sfida të shumta dhe siç ju thashë më lart, në disa aspekte jo dhe shumë e barabartë. Pabarazi që në nisje të garës, sidomos për shkak të numrit të vogël të zgjedhësve në Njësinë 10 që, siç mund ta dini është njësia me numrin më të vogël të votuesve në të gjithë Bashkinë e Tiranës dhe kjo ishte një ndër vështirësitë tona kryesore, një ndër pabarazitë e nisjes së kësaj gare në raport me konkurrentët e tjerë kryesorë brenda listës sonë. Vetëm 12% e votave të marra janë nga njësia 10, kurse të tjerat nga i gjithë qarku. Gjithçka, votë pas vote, me komunikime e takime të shumta me zgjedhësit dhe me një ekip vullnetarësh elektoralë në të gjithë qarkun, që funksionoi në përditshmëri e plot përkushtim, e të cilëve ju jam shumë mirënjohës.
Nga ana tjetër, nuk mund ta mohoj që në rastin tim ka qenë një proces edhe me sulme të ulëta nën brez. Që në nisje të tij, disa individë u përdorën të lëshonin në ndonjë media disa shpifje e trillime të ulëta ndaj meje për të ndikuar në opinionin publik, me një qëllim të vetëm, se si të isha humbës në këtë garë. Po siç ka ndodhur edhe më parë, ne ia dolëm me sukses edhe kësaj here duke fituar mbi ta dhe mbi të gjitha pengesat e ngritura. Kjo, falë votave të vërteta dhe të sinqerta, votë e kërkuar me përunjësi dhe respekt, votë e dhënë me zemër nga plotë 13.673 zgjedhës.
Kush është i interesuar brenda familjes suaj politike që ju të mbeteshit jashtë Parlamentit të ardhshëm?
Nuk besoj se ka pasur brenda forcës sime politike individë që janë investuar drejtpërsëdrejti në këtë gjë, në sulmet mediatike ndaj meje. Çdo garë e hapur natyrshëm sjell me vete edhe rivalitet, ndonjëherë edhe ambicie personale, që mund të shkojë përtej kufijve të shëndetshëm, por nuk është ky rasti besoj. Natyrisht, në politikë ndeshen e përplasen edhe ambicie, modele e qasje të ndryshme, të cilat shpesh iu hapin rrugë edhe intrigave, shpifjeve e sulmeve me goditje nën brez. Në karrierën time të gjatë politike nuk gjendet kurrë, po kurrë, një rast qoftë edhe i vetëm, që të kem tentuar të sulmoj dikë vetë apo edhe përmes të tretëve, ose medias për të përfituar në karrierën time; të merrem me jetën personale apo të familjes së kundërshtarëve të mi politikë dhe ca më keq, të bëj goditje nën brez për kolegët apo konkurrentët e mi në politikë.
Ndaj dhe kam papajtueshmëri morale dhe deri neveri për individë të tillë, cilëtdo qofshin ata ose ato. Në përgjigje të pyetjes suaj, mund të pohoj që jam plotësisht i vetëdijshëm se ka faktorë jashtë politikës apo edhe të lidhur me individë të caktuar politikë që e dëshironin këtë gjë, pra që të mbetesha jashtë parlamentit. E s’ka se si të ndodhë ndryshe kur realisht ke bërë beteja të forta në karrierën tënde politike. E, unë kam pasur disa të tilla gjatë kohës që drejtova Reformën në Drejtësi dhe po ashtu në funksionin e ministrit të Brendshëm. Fatkeqësisht, më duhet ta pranoj se këto angazhime të shoqëruara me përballje e vendimmarrje të vështira dhe sidomos ato që lidhen me Reformën në Drejtësi, një betejë e kahershme e jetës sime politike, krahas vlerësimit, kanë sjellë shpeshherë dhe penalizimin. Por, kjo kurrsesi nuk më ka prapsur nga qëndrimi se, pa asnjë dyshim, ky ka qenë investimi dhe kontributi më i madh që mund të jepja në dobi të interesit kombëtar. Në fund, është vota e qytetarëve ajo që vendos dhe në rastin tim vendosi dy herë radhazi.
Cilat janë marrëdhëniet tuaja aktuale me Kryeministrin Edi Rama? A ka krisje të raportit mes jush?
Nuk di çfarë interesi mund të ketë për publikun kjo gjë, por nuk po i shmangem pyetjes suaj për të mos lënë më shumë keqkuptime e krijuar një cikël të ri thashethemesh. Edi Rama është kryetari i forcës politike ku unë bëj pjesë dhe njëherësh Kryeministri i qeverisjes së partisë ku unë shërbej e kontribuoj si deputet i zgjedhur me mbështetjen e saj. Marrëdhënia ime me Kryeministrin Rama para së gjithash është institucionale dhe e ndërtuar mbi respektin reciprok dhe bashkëpunimin në kuadër të forcës sonë politike dhe për çështje në interes të vendit, siç është Reforma në Drejtësi dhe procesi i integrimit europian. Në çdo bashkëpunim ka vend për debat dhe reflektim, por qëllimi ka qenë dhe mbetet gjithmonë interesi publik dhe përmbushja e misionit të përbashkët. Nuk ka vend për krisje personale, siç pyesni ju, sepse kam pasur dhe kam bindjen e fortë se përgjegjësia që mbartim është shumë më e madhe se çdo raport individual. Unë jam në politikë prej shumë vitesh me emrin tim, me kontributin tim dhe njëherësh me përgjegjësinë që të respektoj e bashkëpunoj me kolegët e mi dhe drejtuesit e forcës politike.
Qytetarët nuk na votojnë se si e shohim dhe se sa e duam ne njëri-tjetrin brenda një force politike, por për faktin se si punojmë e bashkëpunojmë për t’u shërbyer interesave të tyre. Gjatë këtyre dy vjetëve të fundit kam pasur një marrëdhënie dhe bashkëpunim shumë të mirë me zotin Rama në kuadrin e punës për ngritjen dhe funksionimin sa më mirë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për thellimin e reformave për mirëqeverisje, antikorrupsionin e sundimin e ligjit – proces i cili është ende në vazhdim, deri në fund të kësaj legjislature dhe ka pasur një rëndësi të posaçme për rolin e Kuvendit në thellimin e ciklit të reformave shtetndërtuese dhe në funksion të përshpejtimit të procesit të integrimit të vendit.
Si e konsideroni faktin që një pjesë e senatorëve të PS-së mbeti jashtë Kuvendit? A kishte prapavijë lënia e tyre në listën e hapur, pjesë e së cilës ishit edhe ju?
Sigurisht që ndjej keqardhje që shumë prej kolegëve e miqve të mi nuk do t’i kem krah rrugëtimit tonë në parlamentin e ri, por i tillë është rezultati i garës përmes një liste të hapur të këtij formati siç u ndërtua kësaj here. Jo çdo gjë varet nga cilësitë e kandidatit dhe beteja e kontributi që ai jep, por edhe nga rrethana e faktorë të tjerë jashtë tij. Natyrisht, kjo ka sjellë natyrshëm edhe ndryshime në përbërjen e grupit parlamentar, duke lënë jashtë disa figura me përvojë politike, si dhe disa figura me aftësi të spikatura profesionale, mungesa e të cilave besoj se do të ndjehet në mandatin e ri në raport me sfidat që përballemi. Këtë e shoh sidomos në rastin tonë në përfaqësimin e juristëve. Ndoshta kjo do të duhej të ishte menduar e organizuar më mirë. Çdo ndryshim është një mundësi për të rinovuar dhe për të forcuar përfaqësimin. Rezultati e sidomos listat e mbyllura kanë sjellë natyrshëm më shumë prurje të reja, duke e ndryshuar ndjeshëm përbërjen e përfaqësimit tonë parlamentar. Shpresoj të jenë realisht një vlerë e shtuar për ripërtëritjen e energjive, aktivitetit dhe kontributit tonë parlamentar në legjislaturën e re, e cila për nga rëndësia ka një peshë historike, atë të integrimit të vendit në BE. Ndërkohë që, sa u përket prapavijave, prirem të mos besoj në perceptime dhe nuk di pse ju përpiqeni t’i shihni gjërat në sensin negativ të tyre. Më vjen keq, por nuk e shoh kështu këtë gjë.
Çfarë i jep peshë pushtetit të Edi Ramës, nisur nga rezultati i11 majit? Cila është baza e pushtetit të Ramës në këtë rast?
Baza e pushtetit të Edi Ramës është PS-ja dhe besimi që i ka dhënë asaj populli për të qeverisur për një mandat të ri. Pushteti i dalë nga rezultati i zgjedhjeve të 11 majit është pushtet kolegjial, sepse e tillë është edhe përgjegjësia e deleguar nga vullneti i sovranit. Dhe këtë barrë përgjegjësie, në vlerësim tim, na takon të gjithëve ta mbajmë mbi supe, si një forcë dhe familje e emancipuar politike. Edi Rama ka absolutisht meritën kryesore në suksesin e arritur, ashtu siç ka edhe përgjegjësinë kryesore të qeverisjes në këtë mandat të ri për shkak se është kryetari i kësaj force politike dhe njëherësh Kryeministri i vendit. E sa më lartë të jesh në pushtet, aq më e rëndë bëhet barra e përgjegjësisë politike e institucionale. Unë besoj fort se Edi Rama më shumë se kushdo tjetër brenda nesh është i vetëdijshëm për këtë përgjegjësi të madhe të tij e të qeverisjes së udhëhequr prej tij.
Pritshmëritë janë shumë më të larta se në mandatet e mëparshme. Kjo sepse ne vetë kemi kontribuar në rritjen e tyre mandat pas mandati, por edhe sepse mandate të tilla në shifra kaq të larta historike janë njëherësh edhe përgjegjësi shumë më të mëdha, që mund t’i lartësojnë arritjet e deritanishme, ose ti “harrojnë”, nëse nuk bëjmë suksesin e duhur. E kësaj here ne nuk kemi thjesht timonin në duart tona, por të gjithë makinën qeverisëse. Kjo kërkon reflektim të thellë për mënyrën dhe cilësinë e qeverisjes ekzekutive e legjislative. Jemi të dënuar të bëjmë sukses. Mbështetja e gjerë popullore kërkon rezultate konkrete të qeverisjes, kryesorja reforma shtetndërtuese dhe progres drejt integrimit europian të premtuar. Çdo hap i gabuar, çdo devijim nga rruga e reformave, çdo dështim për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve e angazhimeve të marra do të ishte një dëm i pariparueshëm jo vetëm për PS, por për vetë të ardhmen e vendit.
A janë 12 vite mjaft për PS-në që të qëndrojë në pushtet?
Përgjigjen e pyetjes suaj tashmë e ka dhënë me votë sovrani popull, që votoi më 11 maj. E votuesit ishin brenda dhe jashtë vendit. Votuan për një mandat të katërt për PS-në ata që kanë përjetuar reformat dhe ndryshimet e mëdha në qeverisjen tonë në 12 vite, por edhe ata që kanë pasur gjithë mundësinë ta vlerësojnë e gjykojnë atë nga jashtë e nga ftohtësia dhe këndvështrimi krahasues që ua lejon bota ku jetojnë e punojnë. Ose e thënë ndryshe, sipas opozitës sonë, votuan ata që i paska lënë në terr dhe varfëri qeverisja socialiste, por edhe ata që qenkan larguar në mërgim të detyruar prej qeverisjes së PS dhe Edi Ramës! 12 vite janë një rrugëtim ambicioz, që sjell me vete përgjegjësi të madhe për të reflektuar, për t’u përmirësuar dhe për të rinovuar energjitë. Qëndrimi në pushtet nuk është qëllim në vetvete, por mjet për të realizuar projekte të mëdha dhe për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve.
Çdo mandat është një provë e re, një kontratë e re besimi, që duhet nderuar me rezultate dhe me përulësi ndaj kritikave. Ky mandat është një mundësi e rrallë për të përmbyllur një mision historik: të çojmë Shqipërinë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian. Kjo kërkon mençuri, guxim, transparencë dhe sidomos përunjësi – kërkon që të jemi të hapur ndaj kritikave, të reflektojmë mbi gabimet duke mos rënë në grackën e vetëkënaqësisë së pushtetit, të ripërtërijmë energjinë dhe të korrigjojmë kursin qeverisës sa herë që e lyp interesi kombëtar. Pikërisht sot, më shumë se kurrë, duke besuar se ne jemi mbartës të këtyre vlerave, Partia Socialiste është e thirrur të jetë forca që mban gjallë shpresën, që ruan stabilitetin, që garanton progresin dhe që i jep Shqipërisë një zë të fortë në familjen europiane. Historia do të na gjykojë për atë që do të bëjmë në këto katër vite dhe ky gjykim do të peshojë, për mirë apo për keq, mbi ne dhe brezat e ardhshëm për shumë kohë. Ndaj, nëse do të ketë një trashëgimi që do të lëmë pas, le të jetë ajo e një Shqipërie që nuk u tremb nga përgjegjësia, që nuk u lodh nga puna, që nuk u tërhoq nga sfidat, por që i përqafoi ato me dinjitet dhe i shndërroi në fitore për të gjithë.
A ka të drejtë opozita kur thotë se zgjedhjet u vodhën, gjë që problematika e tyre u vu në pah edhe në raportin e OSBE/ODHIR?
Akuzat për vjedhje të zgjedhjeve janë të pabazuara dhe nuk gjejnë mbështetje në faktet e paraqitura nga institucionet përgjegjëse. Raporti paraprak i OSBE/ODIHR evidenton disa problematika që sigurisht duhen adresuar, por nuk vë aspak në dyshim integritetin e procesit dhe rezultatit të dalë prej tij. Ne jemi të angazhuar për zgjedhje të lira e të ndershme dhe çdo rast i dyshuar duhet hetuar nga institucionet përkatëse, jo të përdoret si justifikim politik. Rezultati i numrave me mandatet e fituara, votëbesimi i dhënë nga zgjedhësit shqiptarë brenda dhe jashtë vendit nuk lë vend për asnjë diskutim për mbështetjen popullore për qeverisjen socialiste për një mandat të ri qeverisës. Ne kemi përgjegjësinë ta administrojmë me mençuri, me një qeverisje shumë më të mirë këtë besim, kurse ata, opozita, kanë përgjegjësinë ta pranojnë, ta respektojnë e lexojnë me vetëreflektim të fortë këtë rezultat të thellë dhe të përgatiten për garën e ardhshme elektorale pas 4 vjetësh.
Opozita nuk do t’i njohë rezultatet e 11 majit…
Kjo është një kërkesë utopike, që nuk gjen mbështetje as në realitetin politik, as në vullnetin e qytetarëve dhe as atë të ndërkombëtarëve. Zgjedhjet janë zhvilluar në përputhje me standardet demokratike dhe janë certifikuar nga institucionet përkatëse, nga vetë përfaqësuesit e opozitës në Komisionet e Administrimit Zgjedhor, nga KQZ, por edhe nga arbitri ndërkombëtar. Qeveria teknike është një zgjidhje e jashtëzakonshme që mund të përdoret vetëm në raste të rënda krize, jo si mjet për të justifikuar humbjen elektorale të opozitës sa here që ajo humb zgjedhjet. Mjafton të kthejmë pas në kohë shiritin e kasetës së humbësit dhe do të gjeni të njëjtën vjershë të recituar sa herë që është gjendur përballë disfatës. E ndoshta është kjo një ndër arsyet kryesore që ajo është futur në këtë rreth ciklik humbjesh elektorale. Opozita në kuptimin e kundërshtarit elektoral nuk është problemi ynë. Po në kuptimin e demokracisë së shëndetshme, ajo është e rëndësishme edhe për ne.
Personalisht jam i keqardhur në gjendjen që gjendet opozita sot. E këtu e kam fjalën për PD, partinë kryesore të opozitës, e cila problemin kryesor të saj, në këndvështrimin tim, ka krizën e lidershipit. Nuk janë numrat ato që e bëjnë një opozitë të dobishme dhe efiçente, por kauzat që ndërton e mbron, raporti i besimit që krijon te qytetarët, është lidershipi me vizionin e konstruktivitetin e tij, ato që i japin peshë dhe rol në demokraci. Ne e kemi përjetuar vetë këtë si forcë politike. Kujtoni opozitën tonë në 2005–2009 dhe 2009–2013 dhe do ta kuptoni shumë mirë për çfarë po flas. Opozita aktuale ka gabuar rëndë në këto vite. Fatkeqësisht me keqardhje konstatoj se nuk ka nxjerrë mësime nga dështimet e saj. Ajo është duke gabuar përsëri dhe kjo është trishtuese në këndvështrimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe së ardhmes afatgjatë të vendit.
Të ndalemi pak më gjerësisht te Reforma në Drejtësi, të cilën ju e keni hartuar dhe drejtuar, por pas kaq vitesh, a po vepron ajo njësoj mbi të gjithë politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin?
Të jemi të qartë, unë jam pjesë e atyre që e ideuan, e konceptuan dhe realizuan Reformën në Drejtësi dhe natyrisht kam pasur barrën kryesore të drejtimit dhe organizimit të atij procesi reformues të jashtëzakonshëm, unik në gjithë këto dekada demokracie, në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për reformimin e drejtësisë. Reforma në Drejtësi ka vendosur një standard të ri përgjegjshmërie dhe i ka dhënë goditje fenomenit të pandëshkueshmërisë me forcë të paprecedentë në historinë tonë mbi njëshekullore shtetndërtuese. Askush nuk është më mbi ligjin dhe institucionet e reja po funksionojnë me pavarësi. Sigurisht, procesi ka sfidat e veta dhe kërkon përmirësim të vazhdueshëm, por është e rëndësishme të theksohet se drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë, pa dallim partie, krahine, pushteti apo pasurie. Ajo që është vërtet e rëndësishme sot është të shohim drejtësinë si një sistem të tërë, që adreson jo vetëm çështjet e politikanëve, zyrtarëve të lartë apo krimit të organizuar, por mbi të gjitha që shërben për hallet dhe nevojat e përditshme të qytetarëve. Qytetarët presin nga drejtësia vendimmarrje profesionale, transparencë, zgjidhje të shpejta të çështjeve, siguri për barazi para ligjit dhe respektim të të drejtave të tyre. Ky është thelbi i reformës që kemi ndërmarrë: të ndërtojmë një sistem drejtësie që i shërben çdo qytetari, që garanton besim, barazi dhe siguri ligjore për të gjithë dhe që duhet çuar deri në fund me përkushtim dhe integritet.
A veproi drejtësia në mënyrë selektive mbi disa individë me pushtet, në mënyrë që ata të largohen nga vendimmarrja?
Realisht nuk e shoh aktualisht këtë dukuri dhe nuk do ta pranoja, nëse do të provohej një gjë e tillë. Kryefjalë e kësaj reforme është që kurrsesi drejtësia nuk duhet të jetë selektive dhe e motivuar nga hakmarrje politike apo edhe personale. Çdo rast i tillë duhet të hetohet me seriozitet. Çdo ndërhyrje selektive do të ishte një dëm i madh për besimin e qytetarëve dhe për vetë reformën, sikurse edhe detyrimi për të respektuar afatet ligjore, të drejtat dhe liritë kushtetuese të individit, siç i shprehin e garantojnë aktet ndërkombëtare, Kushtetuta dhe ligjet në fuqi. Prandaj, angazhimi ynë parlamentar, siç e kërkon dhe na obligon Kushtetuta e vendit është të monitorojmë e të kërkojmë që drejtësia, duke ruajtur integritetin dhe pavarësinë e saj, të veprojë njësoj për të gjithë duke mishëruar në vendimmarrjet e saj në hetim e gjykim standardet më të mira europiane dhe kushtetuese./Panorama