Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur se po të mos ishte efekti i grupeve kriminale, votat në qarkun e Durrësit mund të ishin 80% në favor të PD-së.
Komentet Berisha i bëri gjatë një deklarate për mediat, ku tha se grupi kriminal i Troplinëve ka ndikuar fuqishëm në qarkun e Durrësit, që sipas ish-kryeministrit, pasqyrohet edhe te numri i votave për kandidatin Arkend Balla.
Berisha tha gjithashtu se ajo që ka ndodhur në Durrës, ka ndodhur edhe në qarqe të tjera të vendit, duke bërë sipas tij, që zgjedhjet e 11 majit të ishin një farsë kombëtare.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Ka qarqe që ka fituar PD.
Ti nuk mundet kurrë të pranosh se farsa ka të njëjtin efekt në çdo qytet, në çdo qark dhe kudo.
Por, kur sheh rezultatin e Arkend Ballës, 5 mijë vota më shumë se Edi Rama, atëherë më thuaj mua.
Nuk mundet kurrë të pranohet.
Kur sheh rezultatin e Blendi Gonxhes, që merr 5 mijë vota në Vorë dhe kandidati tjetër që dikur kishte marrë 6 mijë vota në Vorë, merr 2 mijë vota tani, sepse banda Xhabafti kaloi nga ai tek Gonxhe, pra njeriu nuk mund t’i nënshtrohet kësaj kurrë. Nuk mund t’i kapërdijë këto.
Po të mos ishte efekti i kartelit Troplini dhe jo vetëm, sepse nuk është vetëm Troplini në Durrës, është edhe banda tjetër që mbështeti Ani Dyrmishin, Durrësi mund të ishte 80 përqind për PD-në.
Pra, këtu nuk mund të injorohet për një shkak apo për një tjetër efekti i farsës kombëtare.
E qartë besoj. /et