Përpara deputetëve dhe kandidatëve të Partisë Socialiste, Rama nuk ka kursyer ironitë për ankesën e drejtueses së diasporës për PD-në, Jozefina Topalli, që sipas tij ankohej se PS ka vrarë pluralizmin.
“E rikthyer si një Doruntinë, mbi samarin e listës së mbyllur, të mushkës gërmuqe të partisë, Jozefina e vajtonte humbjen e zgjedhjeve me lot rrëke, me disa zarfa të Beratit, ku PS kishte marrë 90 përqind të votave. Vdiq, vdiq pluralizmi, thoshte. Na e vranë pluralizmin dhe vdiq, ku, ku e mjera unë. Pra, ne jemi vrasësit e pluralizmit. Berati është në krye të skuadrave për t’i mobilizuar shqiptarët jashtë vendit. Kur ata çohen nga gjumi dhe thonë, rrush, ne i kemi futur në shportë. Jemi ne hajdutët pse madhështorëve u mungojnë 200 mijë vota, ku ishin më konkurrues”, u shpreh Rama.
Kryeministri ironizoi gjithashtu edhe Sali Berishën, duke thënë se ‘madhështorët’ i ofruan shqiptarëve një kufomë politike me kapelën e Trump. Sipas tij u “premtuan njerëzve se do bënin magji, si loja fluturon-fluturon gomari, por në fund nuk fluturoi”.
“Ua kemi ne fajin madhështorëve që u mungojnë 200 mijë vota se 4 vite më parë, këtë herë i ofruan shqiptarëve për kryeministër një kufomë ambulante me kapelën e Trump dhe i premtuan një magji të madhe si në atë lojën e fëmijëve fluturon-fluturon gomari dhe në fund nuk fluturoi. E ngjitëm PS në shifrën rekord të 856 813 votash afërisht 88 mijë më shumë se në 2021, duke i katërfishuar jashtë kufijve ato 35 mijë vota më pak brenda vendit krahasuar me 2021. Përveç mandatit të 9 të Vlorës që për shumë pak mund ta merrnim më shqiptarët brenda vendit, të 82 mandatet e tjera i kemi marrë këtu ku kemi rifituar besimin e shumicës absolute, siç e parashikuan të gjitha sondazhet. PS kaloi kufirin e 50% duke u ngjitur 4 shkallë e gjysmë nga 48.7% në 53.2% falë edhe një organizimi më të mirë kapilar në territor se sa çdo herë tjetër”. m.p.