Ka vetëm pak ditë që ka hyrë në fuqi vendimi për fshirjen e gjobave të apekzekutuara të dhjetë viteve të fundit. Por çfarë duhet të bëjnë konkretisht qytetarët që kanë detyrime të papaguara ndër vite?
Vendimi i qeverisë vetëm dy ditë para zgjedhjeve qendrore shfuqizon masat administrative të vendosura në harkun kohor midis 1 janarit të 2015-ës dhe 30 nëntorit të 2024, të cilat kanë mbetur të paekzekutuara nga një gamë e gjerë institucionesh inspektuese dhe zbatuese.
Kjo nismë synon lehtësimin e barrës administrative dhe financiare për individët dhe subjektet ekonomike, kryesisht në zonat rurale, në kontekstin e një qasjeje më pajtuese dhe zhvillimore. Me këtë vendim qytetarët përfitojnë konkretisht fshirje automatike nga regjistrat financiarë e tatimorë për të gjitha masat e mbetura pa ekzekutim. Asnjë detyrim për pagesë të gjobave të përfshira në listën përkatëse; pastrim i historikut administrativ, duke shmangur penalitete të mëvonshme, por edhe mundësi më të lehta për të përfituar nga legalizimet, aplikimet për kredi, subvencione, ose projekte të mbështetura nga shteti.
Ajo çfarë duhet të bëjnë qytetarët është të verifikojnë nëse janë përfitues automatikë, pra nuk nevojitet asnjë aplikim. Në këtë rast janë institucionet përkatëse, ato që do të përgatisin listat e fshirjes brenda 15 qershorit 2025. Pas konfirmimit të përfshirjes, masat hiqen edhe nga sistemet e taksave dhe tarifave vendore, duke u reflektuar në situatën financiare të subjektit. Por nëse nuk figurojnë në listë, duhet të kërkojnë verifikim pranë institucionit përkatës (bashkia, inspektorati, tatimet etj..) dhe duhet të dorëzojnë një kërkesë me dokumentacion mbështetës, për të përfituar brenda afatit 15 janar 2026. “Altax” ka hartuar listën me hapat që duhet të ndjekin qytetarët rast pas rasti.
Së pari, këshillon kontaktin me bashkinë ose inspektoratin që ka vendosur masën dhe informacioni nëse jeni përfshirë në listë. Së dyti, verifikoni nëse masa është e paekzekutuar dhe e përputhshme me përshkrimet e vendimit. Nëse nuk jeni në listë, paraqisni një kërkesë për përfshirje pranë institucionit përkatës, duke bashkëlidhur dokumentacionin përkatës.
Gjatë kësaj kohe këshillohet të monitoroni afatet, pasi lista dhe fshirja duhet të bëhen brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit dhe listat të dorëzohen për trajtim si dhe mbani komunikim me drejtorinë e tatimeve vendore, për t’u siguruar që masa është fshirë nga sistemi dhe nuk reflekton më në detyrimet tuaja. Fshirja e masave referuar vendimit të qeverisë përfundon deri më 15 janar 2026. m.p.