Brenda vitit 2027 kur pritet të mbyllen negociatat me BE, Shqipëria duhet të ketë një skemë të re për pensionet, që do të bazohet në rritje të moshës për të dalë në pension. Tri janë detyrat që i janë lënë qeverisë në këtë fushë, hartimi i një reforme të re, përshpejtimi u rritjes së moshës së daljes në pension dhe një vlerësim se si do të ndikojë plani i ri në tregun e punës dhe në financat publike.
Në opinionin e Bashkimit Evropian për negociatat për grupkapitullin e tretë “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse” thuhet se Shqipëria duhet të plotësojë disa kushte për të përmbushur detyrimet që lindin prej këtij kapitulli.
Kërkesa kryesore e BE është që të mos jetë 2056-a viti i barazimit në 67 vjeç si për burra dhe për gra, por të ndodhë më herët. Këtë vit një grua del në pension pasi të ketë mbushur moshën 61 vjeç e 10 muaj, ndërsa burrat dalin 65 vjeç. Ndërsa vit pas viti, dalja në pension për gratë rritet me 2 muaj ndërsa për burrat nuk ndryshon, 65 vjeç, ndërsa për ta rritja me muaj nis pas 2030-ës, derisa në 2056-ën synohet që si burrat e si gratë të dalin në pension në moshën 67 -vjeçare.
“Bashkimi Evropian vlerëson se një periudhë kaq e gjatë tranzicioni për të përafruar moshën e daljes në pension të burrave dhe grave, nuk është e justifikuar dhe se një periudhë më e shkurtër tranzicioni me rritje më të shpejtë të moshës së daljes në pension të grave është e preferueshme për t’u përshtatur me legjislacionin e BE”, thuhet në qëndrimin e BE.
Institucionet në vend prej më shumë se një viti kanë nisur punën për përmirësimin e skemës aktuale të pensioneve, duke prekur jo vetëm moshën por edhe formulën e pensionit social i cili do të bazohet mbi kontribute, por nuk do të ndryshojë forma e indeksimit dhe e llogaritjes së pensionit. Qeveria ka sqaruar se deri kur skema të jetë gati, bonuset nuk do të ndalojnë, ndërkohë është premtuar se brenda këtij mandati të katërt do të rrisë pensionin minimal nga 100 euro në 200 euro, si dhe do të rritet pensioni mesatar në 400 euro brenda 2030-ës. m.p.