Sali Berisha, në konferencën për media, është pyetur lidhur me drejtuesin e fushatës së tij elektorale, Chris LaCivita, nëse paratë që i kanë dhënë ia kanë vlejtur.
Berisha tha se ia kanë vlejtur, sepse “kjo është një betejë e një rëndësie të jashtëzakonshme për fatin e Shqipërisë. Kjo faktoi se farsa është dënim me vdekje i votës së lirë para se të hyjë në kuti”.
Berisha gjithashtu tha se LaCivita drejtoi fushatën më të suksesshme në histori.
“Solli ekspertizën e tij, vlerësimet e tij, bashkëpunim i ngushtë, intensive, i frytshëm, mes partisë tonë dhe Chris LaCivita dhe udhëzimet sigurisht që janë marrë parasysh plotësisht”, tha ai.
Berisha: Kontraktimi i Chris LaCivita, yllit të suksesit botëror elektoral, bashkëkryestrategut të rikthimit më të fuqishëm në historinë e njerëzimit, Presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, mendoj se ishte akti më i mirë dhe më i rëndësishëm që bëri PD.
Pse? Sali Berisha ka një eksperiencë të gjatë elektorale. Shumë të pasur. Por, përsëri nëse ai do të ecte në këtë fushatë elektorale pa një ekspertizë, ai do të gabonte. Pse merret këshilltari elektorale? Merret si një garant i bashkëkohësisë së fushatës. Dhe unë besoj se ai drejtoi fushatën më të suksesshme në histori. Solli ekspertizën e tij, vlerësimet e tij, bashkëpunim i ngushtë, intensive, i frytshëm, mes partisë tonë dhe Chris LaCivita dhe udhëzimet sigurisht që janë marrë parasysh plotësisht.
Kjo tregon qartë se farsa elektorale nuk fitohet kurrë nga opozita. Dhe më shumë se kurrë u faktua në këto zgjedhje. Në këtë farsë elektorale ne patëm ekspertizën më të mirë dhe bëmë fushatën më të mirë të jetës time, paraqitëm programin më transformues, por asnjë nga këto nuk e bëri opozitën fituese të farsës.
Tani, ju shtoni problemin e transparencës. Do të bëhet transparente në afatin që parashikon ligji zgjedhor. Ai ia vlente? Ia vlente shumë sepse kjo është një betejë e një rëndësie të jashtëzakonshme për fatin e Shqipërisë. Kjo faktoi se farsa është dënim me vdekje i votës së lirë para se të hyjë në kuti. Kjo është./e.t