Ashtu sikurse njoftoi në fillim të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, se këtë verë përfundon një nga kalvarët më të gjatë të infrastrukturës aksi Qukës-Qafë Plloçë, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku e konfirmoi sërish sot teksa inspektoi punimet e kësaj vepre infrastrukturore.
“Brenda kësaj vere ne duam që të dorëzohet Qukës-Qafë Plloça, për këtë arsye unë kam folur me supervizorin dhe i kam kërkuar që ti qëndrojë në kokë diçkaje që është zgjidhja përfundimtare”, theksoi ajo, përcjell A2 CNN.
Sipas Ballukut punimet janë në fazën finale, pasi janë realizuar mbi 85% e punimeve në të tre lotet e kësaj rruge strategjike, ndërsa kërkoi që të punohet edhe me dy turne për përfundimin e saj.
“Pavarësisht vështirësive gjeologjike punimet në të tre fazat e këtij kantieri për ndërtimin e rrugës Qukës- Qafë Plloçë, po shkojnë mirë, ku aktualisht janë realizuar mbi 85% e punimeve në të tre lotet. Kantieri po shkon shumë mirë. Këtu jemi në lartësitë e zonës dhe në dimër kantieri nuk funksionon, për shkak të motit. Madje edhe tani në maj, këtu është ftohtë. Ndaj aktualisht në këtë investim po punohet me dy turne dhe me angazhim maksimal me synim bërjen operative të kësaj rruge brenda këtij viti”, tha Balluku, shkruan A2 CNN.
Ajo kërkoi nga kontraktorët që, krahas punës intensive në kantierin e këtij aksi për vijueshmërinë e realizimit të kësaj vepre brenda afateve, paralelisht vëmendje e shtuar t’i kushtohet edhe kushteve të sigurisë në punë.
“Krijimi i dy turneve operative që duhet të nisin nga herët në mëngjes dhe duhet të përfundojnë vonë në darkë, sigurisht duke plotësuar të gjitha kushtet e sigurisë në punë që është shumë e rëndësishme”, theksoi ajo.
Në ndërtimin e këtij aksi janë të angazhuar 3 kompani kontraktore, 150 punëtorë dhe mbi 90 mjete të rënda. Rruga konsiderohet kyçe për lidhjen mes Korridorit 8 dhe pjesës juglindore të vendit, duke përmirësuar ndjeshëm lidhjen e Tiranës me Korçën, si dhe duke lehtësuar qarkullimin drejt pikës kufitare të Kapshticës. m.p.