Çmimet e larta të biletave, reagon Duka: Është rritur ekonomia, edhe kombëtarja

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, në një intervistë për RTSH me gazetarin Kristo Thoma, ka trajtuar çështje të ndryshme që lidhen me futbollin shqiptar.

Ai ka folur për Kampionatin Europian U-17 që po zhvillohet në Shqipëri, për “Abissnet Superiore” dhe fazën “Final 4”, si dhe për dy ndeshjet e ardhshme të Kombëtares në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës.

Sa i kënaqur jeni me sezonin që sapo u mbyll në kampionatin tonë? – E veçanta që ka kampionati shqiptar në 10 vitet e fundit është gara. Nuk ka ndeshje lehtësisht të parashikueshme. Nuk ka rëndësi vendi në renditje apo faktori fushë. Kjo është gjëja më e bukur. Edhe ky kampionat deri në ditën e fundit ka patur garë, emocion. Diheshin 3 skuadrat që do të luanin në Final 4, por të gjitha verdiktet e tjera ishin të papërcaktura. Por edhe Egnatia, Vllaznia dhe Dinamo luftonin për pozicionin në renditje. Një garë deri në ditën e fundit me emocion. Me një nivel akoma më të mirë dhe të kënaqshëm. Për mua edhe i organizuar më mirë, qoftë edhe nga klubet. Gjë që më jep shpresë dhe besim që do të kemi organizime akoma më të mira dhe pse jo edhe spektatorë më shumë. Ne kemi filluar një projekt si federatë me klubet që t’i asistojmë që ta promovojnë më mirë, organizojnë dhe marketojnë më mirë, që të ketë më shumë prani tifozësh në stadium. Dhe unë besoj që do të arrijmë rezultate pozitive dhe për këtë.

Një shqetësim apo një kritikë për këtë kampionat? Çfarë duhet përmirësuar menjëherë? – Futbolli është një lojë, që i ka kritikat brenda. Duhet të shërbejnë për tu zhvilluar. Nuk mund të them një fenomen të veçantë, që duhet luftuar. Po flasim për Kategorinë Superiore, klubet duhet të kuptojnë që ky është produkti i tyre dhe duhet të punojnë që ta zhvillojnë sa më shumë këtë produkt.

Final 4 nuk i përmbushi pritshmëritë për të cilat u krijua. Si mendoni? – Final 4 është një kompeticion më vete. Është një kompeticion që ka pasur më shumë tifozë në stadium. Numri në ndeshjet e final 4 është dyfishi i 36 javëve të kampionatit. Ka pasur garë të bukur. Për mua Final 4 i ka arritur pristshmëritë për qëllimin që është krijuar. Ka sjellë një emocion më shumë. Futbolli ndahet për gjëra të vogla. Mund ta humbësh një kompeticion ose ta fitosh me një penallti. Ky kompeticion është ndërtuar për të sjellë më shumë emocion, suspancë. Padyshim që ka kritika. Sa kam unë eksperiencë në futboll, të gjitha skemat kritikohen dhe realisht çdo skemë ka pika të mira dhe të këqija.

Sezonin e ardhshëm do të ketë prapë Final 4? – Ne do të shpallim të gjithë karakteristikat dhe çfarë ka prodhuar final 4 në këto 2 vite. Në këndvështrimin tim duhet t’i japësh kohë çdo projekti dhe më pas të vendosësh nëse është i suksesshëm apo jo. Është një produkt i ri, është një produket që duhet përkrahur. Një produkt që iu bën mirë klubeve. Në fund të fundit prodhon edhe aq pak financa shumë të dëshiruara për klubet tona të futbollit, që vuajnë realisht nga pikëpamja financiare. Nëse vetë klubet nuk e duan më këtë skemë, kjo nuk është një favor për federatën, është një punë akoma më shumë federatën si organizator. Është një gjë që mbetet për t’u parë dhe për t’u diskutuar.

Si tifozi numër 1 i ngjyrave kuqezi do të donit që të kishim lojtarë nga kampionati shqiptar në Euro U17? – Në fakt e kemi diskutuar këtë edhe në Komitetin Ekzekutiv në Federatë. Mendoj që duhet të kemi një politikë, që të kemi një kërkesë të domosdoshme që lojtarë lokalë të jenë në ekipet kombëtare dhe këtë do të implementojmë në të ardhmen. Le ta pranojmë mbase edhe pas cedimit në rezultat, që të kenë më shumë motiv futbollistët dhe lojtarët që luajnë në kampionatin kombëtar. Mund të them që është një vërejte me vend.

Po në ekipin kombëtar mund të kemi më shumë lojtarë nga kampionati ynë? – E njëjta gjë. Padyshim që duhet të kemi. Padyshim që duhet të afrohen. Të gjithë lojtarët që luajnë në të gjitha moshat, duket të kenë një motiv më shumë për të luajtur dhe ne duhet t’ua japim.

E pabesueshme kur shkuan në Europian. Tani ëndrra quhet Botëror. A mund të shkojë Shqipëria në Botëror? – Unë jam gjithmonë optimist. Kam qenë optimist edhe kur ënddra jonë utopike dukej demagogji, por ne shkuam në Europian. Nëse nuk e ke dëshirë, ëndërr, objektiv diçka nuk e arrin. Ne arritëm të shkojmë në Europian dhe tani kemi një dëshirë, ëndërr, objektiv kualifikim në Botëror. Një objektiv i vështirë, por jo i pamundur. Futbolli kështu është. Duhet të bashkohen shumë gjëra dhe në fund fare të kesh edhe pak fat. Nëse kualifikueset e fundit për Kampionatin Europian do të ishin për Kupën e Botës do të ishim kualifikuar sepse rregullat janë njësoj. Tani në këtë kompeticion shorti nuk na ka favorizuar (nuk menduam që do dilnim të parët me Poloninë dhe Çekinë). Me Anglinë është nivel i lartë vështirësie, për të mos thënë i pamundur. Kemi mundësitë reale në letër për të luftuar për vendin e dytë. Në fushë do ta shohim, kundërshtari kryesor për këtë vend të dytë është Serbia. Një ekip me përbërje shumë të mirë, me lojtarë me kualitet, por nuk mendoj se është skuadër më e mirë se ne.

Lexo edhe :  Dramë në kampionatin kroat, Rijeka fiton titullin kampion me pikë të barabarta me Dinamon

I kemi shanset reale për të luftuar për këtë, kjo nuk do të thotë që 1 apo të dyja ndeshjet do ti fitojmë ne. Por do të luftojmë për t’i fituar dhe kjo është një mundësi për të shkuar në Play Off, që vazhdon të jetë një luftë e vështirë. Ne duhet të tentojmë, çunat duhet të kenë besim. Kemi një skuadër të mirë, me çuna të mirë dhe do të luftojmë. Do të luajmë në fushën tonë më 7 qershor, në një stadium të mbushur, që uroj që të kthehet në një energji pozitive për skuadrën, mos të jetë një presion që do ta vendosë në trysni ekipin tonë kombëtar. Kemi nevojë për energji pozitive dhe jo për trysni, që skuadra ta përjetojë atë ndeshje si një ndeshje futbolli, me objektivin për të shkuar në botëror.

Si e parashikoni ndeshjen me Serbinë? – Parashikimi im miksohet me dëshirën time që ta fitojmë atë ndeshje. Dhe dua shumë që ta fitojmë atë ndeshje, kundër një kundërshtari direkt për vendin e dytë. Një sukses ne na le të hapur mundësinë për të vazhduar, për të luftuar për të zënë vendin e dytë. Edhe nëse fitojmë me Serbinë nuk do të thotë që u renditëm në vendin e dytë, por e lë të hapur mundësinë. Kundërshtarët e tjerë qoftë Andorra qoftë Letonia mund të hapin probleme. Jam shumë i sigurtë që njëri nga ne do të bëj hap fals me ato. Anglia vështirë, por ne ose Serbia po. Uroj që mos ta bëjmë ne hapin fals. Ta bëjnë serbët. Në përballjet direkt të kemi një bilanc pozitiv me ta dhe të realizojmë këtë objektiv, që të jemi në vendin e dytë.

Një ndeshje që duhet fituar edhe në fushë edhe në tribuna? – Kjo është bashkë. Tribuna dhe fusha janë bashkë. Të gjithë ne jemi bashkë, duhet të krijojmë një atmosferë pozitive. Të mos krijojmë trysni dhe ambient konfliktual ndaj skuadrës. Të prodhojmë energji pozitive, ta mbështesim skuadrën dhe të fitojmë sportivisht. Nëse fiton ndeshjen i ke realizuar të gjithë pritshmëritë e tua. Nëse vë të gjitha gjërat e tjera para ndeshjes, do të rrëzohen edhe këto.

Çmimet e larta të biletave në ndeshjet e kombëtares? – Kombëtarja rritet, shpenzimet rriten, ekonomia ka ndryshuar. Ne jemi një federatë që organizojmë gjithë futbollin shqiptar dhe kombëtaren vetëm me financat tona. Nuk kemi ndihmë nga askush. Të ardhurat tona janë vetëm të drejta nga transmetimet, të drejta nga marketingu dhe të drejta nga biletat. Detyrimisht këtë lloj produkti detyrohesh ta monetizosh që ta zhvillosh akoma më shumë. Por gjithsesi çmimet nuk janë të papranueshme. Shpesh herë abuzohet nga dashakeqës mediatik, ose dashakeqës nga fusha të tjera. Që konsiderojnë çmim të rritur të biletave apo biletat VIP. Biletat VIP janë shumë pak dhe janë për sponsor, nuk janë për tu tregtuar. Në eksperiencën europiane Madje nuk deklarohen fare si çmime. Ndërsa çmimet e biletave për tifozët 2000 apo 3000 lekë nuk mund të konsiderohen shumë të larta.

Një mesazh për tifozët? – Ta përjetojmë si ndeshje futbolli. Të krijojmë një atmosferë pozitive. Të mbështesim maksimalisht njëri tjetrin. Të mbështesim skuadrën që të shkojë drejt rezultatit. Të mendojmë vetëm për skuadrën dhe për sportin, jo për gjëra të tjera. m.p.

Të fundit

Chelsea ngre trofeun e Conference League, londinezët përmbysin Betisin brenda 45-minutave

Chelsea është fituesi i edicionit të katërt të Ligës së Konferencës, në të cilin që në fillimin e turneut...

Mahnitëse! Kur jahti 200 milionë dollarësh të kalon te dera e shtëpisë

Një superjaht luksoz në pronësi të miliarderit amerikan që e shndërroi Starbucks-in në një markë globale është parë duke kaluar nëpër një kanal shumë...

Shqiptarë, kujdes! Vesi jonë i keq në avion tani ndëshkohet me 70 euro

Turqia u ndalon pasagjerëve të ngrihen në këmbë përpara se të fiket shenja e rripit të sigurimit në avion, në të kundërt do të...

100 gramë kokainë dhe shkop bejsbolli në makinë, shqiptarët kapen mat në Itali

Tre të rinj shqiptarë u ndaluan nga karabinierët gjatë një operacioni antidrogë në periferi të qytetit, në Pesaro. Eefektivët ndërhynë në momentin që të dyshuarit...

Përdhunim, trafikim dhe prostitucion, konfirmohen 21 akuzat për vëllezërit Tate

Prokurorët në Mbretërinë e Bashkuar kanë konfirmuar për herë të parë se kanë autorizuar 21 akuza kundër Andrew dhe Tristan Tate, duke përfshirë përdhunim,...

Lajme të tjera

Web TV