Leo Messi dhe Luis Suarez kanë krijuar një klub në kategorinë e katërt të futbollit uruguaian që quhet Deportivo LSM.
Ish-bashkëlojtarët tek Barcelona tashmë të veshur me fanellën e Inter Miamit, e prezantuan këtë projekt në rrjetet sociale, duke nisur një kapitull të ri në karrierën e tyre historike të futbollit.
“Sot dua t’i ofroj futbollit uruguaian, të cilin e dua dhe u rrita me të që kur isha fëmijë, mundësitë dhe mjetet për t’i ndihmuar të gjithë adoleshentëve dhe fëmijëve që të rriten”.
“Ne duam të fillojmë të konkurrojmë në Federatën e Futbollit të Uruguait, diçka që na emocionon jashtëzakonisht shumë dhe është një hap i madh për mua dhe familjen time tek një projekt i cili besojmë”, ka thënë Suarez.
Emri i klubit, LSM, është një përfaqësim i emrit të të dy futbollistëve.
“Ëndrra nuk merr fund këtu, do ta ndajmë me familjen, miqtë dhe shokët e ngushtë. Ne kemi përjetuar shumë gjëra së bashku që kur ishim fëmijë”.
Skuadra do të stërvitet në kompleksin ‘Luis Suarez’, një qendër prej pothuajse 20 hektarësh që përfshin një stadium me bar sintetik me kapacitet prej 1400 spektatorë si dhe një fushë me kapacitet prej 620 tifozësh. m.p.