I veshur i gjithi me blu, çdo cep i qytetit të Napolit, çdo rrugë e rrugicë, kudo, të gjithë festuan pafund për këtë titull të katër në histori. Mbi 200 mijë persona dolën në rrugën e qytetit duke festuar së bashku me beniaminët e tyre, festuan me Conten dhe djemtë e tij për këtë trofe që këtë vit kishte një shije të veçantë pasi të paktë ishin ata që e besonin një përfundim të tillë.
Shëtitorja e qytetit të krijonte një ndjesi të jashtëzakonshme, një det i tërë me tifozë në delir. Kjo atmosferë fantastike rrëmbeu edhe trajnerin Conte i cili ishte në qendër vëmendjen, dukshëm në qiellin e shtatë. Gjithçka shkoi në mënyrë perfekte, pa incidente, fakt që e pranoi edhe prefekti i Napolit.
Para, gjatë dhe pas festës, sërish e gjithë vëmendja ishte te trajneri Conte dhe e ardhmja e tij, ku edhe këtë herë nuk munguan pyetjet për presidentin De Laurentiis: “Trajnerët kanë një kontratë. Nëse dëshirojnë të qëndrojnë, për të vijuar këtë rrugëtim, do të ishte fantastike”, u shpreh bosi i Napolit.
Në këtë diskutim u përfshi edhe pinjolli i tij më i rëndësishëm Romelu Lukaku: “Duhet bërë gjithçka që Conte të qëndrojë në Napoli. Do të qëndroj, do të qëndrojë”, u shpreh Lukaku. Ndërkohë, vetë Conte nuk preferoi të flas për të ardhmen e tij, por theksoi se ky titull dhe mënyra se si përjetohet në Napoli është unike./e.t