Ish-kirurgu francez Joel Le Scouarnec i cili ka pranuar abuzimin seksual me qindra pacientë, kryesisht fëmijë, midis viteve 1989 dhe 2014, është dënuar me 20 vjet burg. Mediat bëjnë të ditur se Le Scouarnec ishte veshur me të zeza ndërsa qëndronte pa emocione në gjykatë duke dëgjuar gjyqtaren Aude Burési të jepte vendimin, ndërsa ai i kishte pranuar akuzat në mars.
“Njëzet vjet janë pak në krahasim me numrin e viktimave në këtë gjyq. Është koha që ligji të ndryshojë në mënyrë që të kemi dënime më të përshtatshme”, tha Francesca Satta, avokate e disa prej viktimave, shkruan A2 CNN.
74-vjeçaari Le Scouarnec, është quajtur pedofili më i madh i Francës. Ai është tashmë në burg pasi u dënua në vitin 2020 me 15 vjet burg për përdhunimin dhe sulmin seksual ndaj katër fëmijëve, përfshirë dy mbesat e tij.
Ish-mjeku ka qenë në gjyq në Brittany që nga fundi i shkurtit. Gjatë asaj kohe, dhjetëra viktima të tij kanë dëshmuar, duke i treguar gjykatës se si abuzimi që kanë përjetuar si fëmijë ua ka ndikuar jetën, raporton A2 CNN.
Në mars, gjatë një seance të mbajtur me dyer të mbyllura, Le Scouarnec pranoi se kishte abuzuar seksualisht me të 299 viktimat, shumë prej tyre ndërsa ishin nën anestezi ose zgjoheshin pas operacioneve.
Ai mbante ditarë në të cilët përshkruante sulmet me detaje grafike, gjë që i lejoi policisë të gjurmonte viktimat e tij, shumë prej të cilëve nuk kishin kujtime për abuzimin që pësuan ndërsa ishin nën kujdesin e Le Scouarnec. m.p.