Deputeti demokrat, Ferdinand Xhaferraj, tha se në zgjedhjet e 11 majit nuk kishte garë mes partive.
Në një lidhje intervistë me moderator Aleksandër Furxhi, Xhaferraj u shpreh se Berisha ka vetëm një axhendë, atë të zgjidhjes së hallit personal.
Për deputetin e PD-së, Sali Berisha nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.
Çfarë përfundimi del nga këto zgjedhje sipas jush?
Xhaferraj: Sali Berisha, me vendimmarrjen e tij, ka bërë përgjegjës vetë për rezultatin e zgjedhjeve. E gjithë kjo retorikë për manipulim të zgjedhjeve është nisje sa e detyruar aq edhe përcaktuese për zotin Berisha.
Nëse ne nuk do të denonconim rezultatin e zgjedhjeve, do të hynte në fuqi në mënyrë automatike statuti, i cili edhe kështu, me këtë situatë që kemi, nuk i lë asnjë hapësirë zotit Berisha për të mos dhënë dorëheqjen.
Nëse 3 vite më parë Berisha do të thoshte që “unë po kthehem për hallin tim personal”, askush nuk do t’i shkonte nga pas.
Për të motivuar, ngriti fabulën e rikthimit për të rrëzuar Edi Ramën dhe e përforcoi këtë fabul duke vendosur një nen në statut që nuk linte asnjë lloj interpretimi për dorëheqje.
Sot, pas tre vitesh, shihet që nuk ka fare ndërmend të japë dorëheqjen, sepse që kur është kthyer e deri tani ka vetëm një axhendë, axhendën e zgjidhjes së hallit personal. Janë zgjedhjet më të ndotura, për faktin që nuk kishim garë.
Mund të mendohet se ju, ose të tjerë si ju, jeni shumë kritikë për arsye se nuk ishit në listë, nuk kandiduat. Një përgjigje?
Xhaferraj: Që para 3 vitesh, unë kisha deklaruar se nuk kam më ambicie për të qenë pjesë e parlamentit. Por, kur s’ke ambicie, nuk do të thotë që s’ke përgjegjësi, nuk ke detyrime ndaj forcës politike.
Më qartazi se kaq e kam shpjeguar disa herë. Jam shprehur mbi dhjetë herë në mbledhjet e grupit parlamentar që s’kam më ambicie./E.T