Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka dalë me një komunikim zyrtar lidhur me analizat e produkteve ushqimore të marra në kopshtin Nr. 1 në qytetin e Gramshit dhe në subjektin furnizues në Tiranë.
Në kuadër të transparencës me publikun, AKU sqaron se një pjesë e kampionëve të analizuar për praninë e bakterit Salmonella spp kanë rezultuar të pastër, ndërsa për pjesën tjetër analizat janë ende në proces.
Komunikim për publikun:
Në kuadër të transparencës, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon ndjekjen e procedurave ligjore dhe informimit të publikut, lidhur me kampionaturat e marra në produktet ushqimore lëndë e parë në kopshtin Nr. 1 në qytetin e Gramshit dhe në subjektin furnizues në Tiranë, të cilat u dërguan për analizim për treguesin Salmonella spp pranë Laboratorit të Referencës në ISUV.
Informojmë se për mostrat e dërguara për analizim për produktet lëndë e parë qumësht dhe kofshë pule, të kampionuara nga DRAKU Elbasan, si dhe produktet qumësht, kofshë pule, vezë e kampionuar nga DRAKU Tiranë, kanë rezultuar të pastër për treguesin Salmonella spp.
Ndërsa për produktin vezë kampionuar nga DRAKU Elbasan dhe kofshë pule kampionuar nga DRAKU Tiranë, analizimi është ende në proces.
Sapo të kemi këtë informacion, AKU do të vijojë me informimin e mëtejshëm të publikut.
Analizat u janë marrë 72 personave, 53 fëmijë dhe 19 anëtarëve të stafit të kopshtit dhe të gjithë janë në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik. Përfundimet do të mund të zbardhin se sa prej tyre janë prekur nga salmonela. Nga analizat e kryera në spitalin e Gramshit rezultuan 3 fëmijë të prekur. Burime thonë se një fëmijë ka qenë i shtruar i pari, ai është trajtuar dhe më pas është çuar në shtëpi. Pas tij kanë shkuar edhe 5 të tjerë me simptomat më të lehta.
Episodi i helmimit masiv ka ndodhur të martën e 20 majit, por ngjarja është mbajtur e fshehtë nga institucionet shëndetësore dhe vendore. Ngjarja u bë publike mesditën e së shtunës nga një familjar, i cili denoncoi publikisht helmimin e nipit të tij. m.p.