Në Rusi ka nisur transmetimi i një seriali të ri të animuar për fëmijë me përmbajtje propagandistike dhe tematikë gjeopolitike. Seriali, i quajtur Sandpit, është krijuar nga propagandisti i njohur rus Vladimir Solovyov, i cili është sanksionuar nga BE-ja dhe Britania për përhapje të dezinformatave që minojnë sovranitetin e Ukrainës.
Ky projekt synon të “kultivojë patriotizmin që në fëmijëri” dhe të mësojë fëmijët rusë të diskutojnë për gjeopolitikën me të njëjtën lehtësi siç debatojnë për lodrat. Në videon promocionale 30-sekondëshe, që është publikuar në Telegram, shfaqen figura të njohura botërore si Donald Trump, Elon Musk, Vladimir Putin, Emmanuel Macron, Kim Jong-un dhe Recep Tayyip Erdoğan, të gjithë të portretizuar si fëmijë të vegjël në një video-thirrje.
Putin paraqitet me një uniformë të bardhë xhudoje dhe një anije lodër të zezë, një simbolikë për flotën ruse në Detin e Zi. Elon Musk luan me një Cybertruck lodër, ndërsa Kim Jong-un mban fort një raketë, referencë për ambiciet e tij ushtarake. Trump është i veshur me kostum blu dhe kravatë të kuqe, me flokët karakteristikë.
Gjatë bashkëbisedimit, Kim thotë se Macron nuk duhet të jetë pjesë e udhëtimit në Stamboll sepse “je gjithmonë me gjyshen tënde”, një aludim për diferencën e moshës mes Macron dhe bashkëshortes së tij, Brigitte. Putin, ndërkohë, tregon se po përdorin një platformë ruse sepse “Skype juaj vdiq”, duke iu referuar mbylljes së shërbimit nga Microsoft.
Projekti “SolovyovKids” përshkruhet si një hap i ri drejt edukimit politik që në moshë të hershme, duke reflektuar përpjekjet e reja të Kremlinit për të rrënjosur botëkuptimin “putinian” te brezat e ardhshëm. /E.T