Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka shtrënguar sot duart me kancelarin gjerman Friedrich Merz në Berlin dhe është mirëpritur me një ceremoni zyrtare ushtarake pas mbërritjes së tij në kryeqytetin gjerman.
Sipas mediave të huaja, Presidenti ukrainas është atje duke kërkuar të sigurojë mbështetjen nga një prej aleatëve kryesorë evropianë të vendit të tij dhe ndihmë të mëtejshme ushtarake, ndërsa bisedimet e paqes ngecin, zhgënjimi i Donald Trump me mungesën e progresit rritet dhe Rusia rrit bombardimet e saj.
Gjermania ka qenë furnizuesi i dytë më i madh i ndihmës ushtarake për Ukrainën pas SHBA-së. Merz njoftoi për herë të parë të hënën se Gjermania po hiqte kufizimet e rrezes së veprimit për armët e furnizuara Ukrainës, duke bërë që shumë njerëz të pyesin veten nëse vizita e sotme do të përfshijë konfirmimin se Ukraina më në fund do të marrë raketat Taurus me rreze të gjatë veprimi pas kërkesave të përsëritura.
Merz, një konservator që mori detyrën këtë muaj, është zotuar të marrë një rol më udhëheqës në sigurimin e mbështetjes për Ukrainën sesa paraardhësi i tij socialdemokrat, Olaf Scholz.
Ai vizitoi Ukrainën me udhëheqës të tjerë evropianë pak ditë pasi u bë kancelar dhe të hënën mbështeti të drejtën e Ukrainës për të nisur sulme me raketa me rreze të gjatë veprimi në territorin rus – në kontrast me retorikën e kujdesshme të Scholz mbi këtë çështje./E.T