“Ku i gjeti PS të dhënat e votuesve nga diaspora?” Kjo është pyetja e ngritur sot nga Adriatik Lapaj, kreu i “Shqipëria Bëhet”, me të cilën mori gjithsej 64 mijë vota në zgjedhjet e 11 majit.
Sipas tij, Partia Socialiste ka marrë të dhënat personale të të regjistruarve në platformën PER të KQZ si votues nga diaspora, diçka e paligjshme.
“Nga procesi ynë faktmbledhës rezulton se PS ka kontaktuar në forma të ndryshme ndër të cilat dhe me mesazhe votuesit e regjistruar nga diaspora. Në rastin që po paraqes rezulton që numri +44 74 11 505458 në emër të Ps dhe njërit prej deputetëve të saj të ketë kontaktuar shqiptarët e Anglisë para zgjedhjeve të dt. 11 maj duke treguar se përveçse kanë pas informacion që këta shtetas kanë qenë të regjistruar si votues nga jashtë kanë pasur dhe kontaktet e tyre të telefonit. Rezulton që u kanë ditur emrat, numrat e telefonit dhe adresat.
Pyetjet që ngremë tashmë janë krejt të thjeshta:
1. Nga i kanë marrë të dhënat Partia Socialiste dhe deputetët e saj?
2. Dhënia e numrave, adresave të votuesve të regjistruar nga jashtë a shkelin të dhënat personale të këtyre shtetasve?
3. Dhënia e të dhënave personale të votuesve te një forcë politike dhe jo te të tjerat a është cënim i procesit të rregullt për zgjedhje të lira dhe të ndershme?” – shkruan Lapaj.