Një shtyrje apo një shpullë. Një klip i shkurtër që do të kishte dominuar lajmet amerikane për ditë të tëra, u transmetua në Francë vetëm për 24 orë dhe pastaj u zhduk. Kur një video virale u shfaq gjatë fundjavës që tregonte gruan e Presidentit Francez Emmanuel Macron, Brigitte, duke i shtyrë fytyrën pikërisht kur ai po bëhej gati të zbriste nga avioni gjatë një vizite në Vietnam, gazetat franceze reaguan vakët. Asnjë faqe e parë gazete franceze nuk e kishte atë mëngjesin e ditës tjetër.
Kjo, me shumë gjasa, nxjerr në pah një ndarje kulturore midis Francës dhe Anglosferës, ka një besim të hershëm francez se jeta private e politikanëve duhet të mbrohet. Kjo traditë e ruajtjes së sekretit e mbajti të fshehtë vajzën e paligjshme të Presidentit François Mitterrand për vite me radhë. Kjo gjithashtu ka nënkuptuar një heshtje delikate rreth jetëve të tjera personale kontroverse, si rasti famëkeq i Dominique Strauss-Kahn. Arrestimi i ish-shefit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për akuza për sulm seksual në Nju Jork në vitin 2011 i dha fund papritur karrierës së tij politike, pikërisht kur ai po shfaqej si një kandidat kryesor presidencial.
Të njëjtat rregulla të pashkruara dolën në pah në 2014, kur revista Closer publikoi foto të ish-Presidentit François Hollande duke hyrë në apartamentin e një miku, ku thuhet se po takohej me aktoren Julie Gayet. Në atë kohë, Gayet ishte e dashura e tij, edhe pse ai ende kishte një partnere me të cilën bashkëjetonte. Historia shkaktoi trazira, por zyra e Hollande dënoi “shkeljen e privatësisë” dhe media shpejt u tërhoq. Kështu, kur videoja e Macron filloi të qarkullonte, reagimi fillestar i medias ishte i shpejtë, por jetëshkurtër. Mediat franceze e transmetuan klipin, e analizuan shkurtimisht dhe vazhduan më tej. Marrëdhënia e Macron me Brigitte ka qenë në fakt gjithmonë e pazakontë.
Ata u njohën kur ai ishte vetëm 15 vjeç dhe ajo ishte mësuesja e tij e dramës në një shkollë private në Amiens. Ajo ishte 24 vjet më e madhe, e martuar dhe nënë e tre fëmijëve. Nisi si marrëdhënie mësues-nxënës por u kthye në dicka më të madhe. Por duket se edhe në francë, vija ndarëse mes publikes e privates, po zbehet dhe mediat sociale po luajnë rolin vendimtar.
Prej kohësh në to ka qarkulluar edhe një teori konspirative, sipas të cilës zonja e parë e francës është burrë. Zonja e parë ka paditur dy gra për përhapjen e këtyre zërave, dhe ka fituar. Por kjo ka sjellë edhe një reagim nga presidenti. Ai foli për temën në 2024, duke thënë se pjesa më e keqe e të qenit president është të përballesh me “informacione të rreme dhe histori të sajuara”. “Njerëzit përfundojnë duke i besuar ato, dhe kjo të prish jetën “, tha Macron./kb