Sipas një studimi të kryer në Japoni, fëmijët që përtypin më pak, hanë me nxitim dhe me gojën plot janë më të prirur ndaj obezitetit. Hulumtimi, i realizuar nga Universiteti i Osakës, analizoi zakonet ushqimore të rreth 1.400 fëmijëve të moshës 9 deri në 10 vjeç dhe zbuloi se mungesa e përtypjes së mirë lidhet drejtpërdrejt me rrezikun për t’u shëndoshur.
Sipas rezultateve, fëmijët që përtypnin keq kishin rreth 1.5 herë më shumë gjasa të ishin obezë, ndërsa ata që hanin me shpejtësi përballeshin me një rrezik pothuajse dyfish. Gjithashtu, konsumimi i ushqimit me gojën plot u shoqërua me një tendencë më të lartë ndaj kësaj sëmundjeje.
Studimi tregoi se kjo sjellje ishte më e përhapur tek djemtë, ndërkohë që 167 fëmijë u klasifikuan si obezë gjatë vlerësimit. Rezultatet e hulumtimit u publikuan në revistën shkencore “Science Direct”./E.Ç