Nëse Kanadaja “shqyrton” heqjen dorë nga shtetësia e saj në këmbim të mbrojtjes nga sistemi i propozuar i mbrojtjes nga raketat “Kupola e Artë”, këtë mbrojtje do ta ketë pa asnjë kosto
Presidenti amerikan iu rikthye me një formë tjetër kërkesës së tij që Kanadaja t`i bashkohet SHBA-së, pavarësisht se zyrtarët kanadezë kanë deklaruar vazhdimisht se vendi nuk është në shitje.
“I thashë Kanadasë, e cila dëshiron shumë të jetë pjesë e sistemit tonë të mrekullueshëm të Kupolës së Artë, se do të kushtojë 61 miliardë dollarë nëse ata mbeten një komb i veçantë. Por do të jetë zero dollar për ta nëse vendosin të bëhen shteti ynë i 51-të. Ata po e shqyrtojnë ofertën”, shkroi Trump në Truth Social.
Prej disa kohësh, Trump ka bërë të ditura pretendimet e tij për aneksimin e Kanadasë, çka kundërshtohet ashpër si nga zyrtarët e vendit fqinj, ashtu edhe nga qytetarët e thjeshtë. Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, i cili siguroi një fitore zgjedhore muajin e kaluar pjesërisht për shkak të kundërshtimit të kanadezëve ndaj dëshirës së Trump për ta bërë vendin pjesë të SHBA-së, i tha Trump në fillim të këtij muaji se vendi i tij “nuk do të jetë në shitje.
Edhe mbreti Charles III, i cili njihet si sovrani i Kanadasë, mbajti një fjalim para Parlamentit Kanadez të martën, në të cilin ai hodhi poshtë idenë e Trump për blerjen e vendit të Amerikës së Veriut dhe për ta bërë atë shtetin e 51-të të SHBA-së.
“Kanadaja mund të ndërtojë aleanca të reja dhe një ekonomi të re që i shërben të gjithë kanadezëve”, u shpreh monarku./kb