Dy bandat shqiptare të drejtuara nga Elvis Demçe dhe Ermal Arapaj janë dënuar përfundimisht nga Gjykata e Kasacionit në Itali, duke i dhënë fund luftës së përgjakshme mes tyre që kishte nisur në periferi të Romës. Hetimet e prokurorit Francesco Cascini çuan në shkatërrimin e këtij rrjeti kriminal, me një total prej mbi 100 vitesh burg për 11 të pandehurit.
Dënimet më të rënda iu dhanë vetë drejtuesve të dy grupeve, Elvis Demçe që u dënua me 15 vite burg, ndërsa Ermal Arapaj me 10 vite e 2 muaj. Të dy ishin rivalë në një luftë për kontrollin e zonave të trafikut të drogës në Castelli Romani, një luftë që përfshinte edhe atentate, djegie pronash dhe tentativë vrasjeje.
Demçe, është i njohur edhe për deklaratën e tij: “Unë jam Zoti”, pasi doli nga burgu në vitin 2020, nisi një ofensivë të egër për të rimarrë kontrollin e territoreve që rivalët i kishin rrëmbyer gjatë mungesës së tij. I armatosur dhe i rrethuar nga njerëz të besuar përfshirë një ish-futbollist të Lazios dhe një djalë aristokrati që u kthye në vrasës me pagesë ai kishte lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar, përfshirë ‘Ndrangheta-n, trafikantë kolumbianë dhe zyrtarë të korruptuar në porte.
Në një moment, Demçe planifikoi eliminimin e rivalit të tij Arapaj me një atentat në Lanuvio, i cili dështoi më 9 korrik 2020, duke çuar në një shkëmbim zjarri. Më 5 shtator, njerëzit e Demçes i vunë flakën vilës dhe makinës së Arapaj në Velletri. Pas këtij episodi, Arapaj u arratis në Spanjë dhe prej andej planifikoi hakmarrjen.
Lufta mes tyre u ndërpre nga ndërhyrja e Prokurorisë, e cila, sipas akteve, ishte edhe në shënjestrën e planeve të Demçes. Tashmë, me vendimin e Kasacionit, saga kriminale e dy bandave shqiptare në Itali merr fund.
Ndërkohë, ndaj Demçes vijojnë procese të tjera, dhe ai ka tentuar të shmangë burgun duke paraqitur certifikata mjekësore me pretendimin se është i varur nga droga një strategji që drejtësia italiane pritet ta shqyrtojë në vijim. m.p.