Në vitin akademik 2023-2024, afro 28 mijë studentë përfunduan studimet në arsimin e lartë, duke hapur dyert drejt tregut të punës. Ndër ta, sipas INSTAT, programet “Bachelor” zunë pjesën më të madhe me 51.3% të diplomuarve, ndërsa studimet e nivelit “Mastera” përfaqësonin 43.1%.
Vajzat vijojnë të dominojnë auditorët e universiteteve, duke përbërë 65.8% të të gjithë të diplomuarve.
Fusha më e preferuar ishte ajo e Biznesit, Administrimit dhe Ligjit, ku u diplomua rreth një e katërta e studentëve. Në të dhënat e INSTAT, tregohen tendenca të qarta gjinore që pasqyrojnë jo vetëm preferenca, por edhe perceptime shoqërore të roleve.
Konkretisht te fusha e shërbimeve, që përfshin profesionet praktike dhe teknike, mbizotërojnë djemtë. Nga 1.243 të diplomuar gjithsej, 837 janë djem dhe vetëm 406 vajza. Edhe në inxhinieri, prodhim dhe ndërtim, djemtë përbëjnë 63.1% të të diplomuarve, duke forcuar stereotipin se këto fusha janë “terren mashkullor”.
Vajzat dominojnë qartësisht në disa fusha. Në shkencat sociale, gazetari dhe informacion, përbëjnë 83% të të diplomuarve; në shkencat e edukimit, 81.7%; dhe në shëndet e mirëqenie, 78.9%.
Megjithatë, në disa drejtime po vërehet një ndryshim pozitiv. Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit, një nga fushat më të kërkuara dhe më të paguara në tregun e punës, po shkon drejt një balancimi më të mirë gjinor. Gati gjysma e të diplomuarve janë vajza, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitet e mëparshme.
Numri total i të diplomuarve në këtë fushë është rritur gjithashtu nga 1.982 në vitin 2023 në 2.262 në vitin 2024, duke treguar një interes në rritje për teknologjinë, veçanërisht në mesin e vajzave.
Nga ana tjetër, disa degë po humbasin dukshëm interesin. Shkencat natyrore, matematika dhe statistika regjistruan vetëm 670 të diplomuar, ndërsa për “mësuesi” pati afro 200 të diplomuar më pak se 2023.
Ajo që bie po ashtu në sy te të dhënat e INSTAT është edhe numri i doktorantëve. Nga 116 që ishin 2023, të diplomuarit që mbrojtën doktoraturën ishin vetëm 31 në vitin 2024. Këto zgjedhje akademike nuk janë vetëm një pasqyrë e preferencave individuale, por edhe një tregues i qartë i drejtimit që po merr tregu i punës dhe barazia gjinore në Shqipëri. m.p.