Nga Rudina Hajdari
Rezultati i zgjedhjeve të fundit tregoi më qartë se kurrë më parë se opozita i bëri vetes sërish një autogol të rëndë kur pranoi të bashkëpunonte me Partinë Socialiste për të ndryshuar reformën zgjedhore për zgjedhjet e 11 majit. Sot kemi deputetë që do të futen në Kuvend me zero vota personale, por që janë certifikuar si përfaqësues të popullit në kurriz të kolegëve të tyre, që kanë marrë mjaftueshëm vota për të qenë deputetë dy herë, por që mbeten jashtë. Pra, me djersën dhe votën e të tjerëve, deputetët e listës së mbyllur po bëhen deputetë pa e merituar.
Të gjithë e dinë që aty ka figura të pamerituara që nuk përfaqësojnë askënd dhe që nuk kanë lidhje me punën, por që zënë karriget falë mbështetjes së kryetarit dhe votimit të një reforme të dizajnuar për të ruajtur status quo-në. Duke zgjedhur të ruajnë sistemin proporcional rajonal, me shumicën e deputetëve që vijnë nga lista të mbyllura, Partia Demokratike dhe opozita në tërësi kanë bërë sërish të njëjtin gabim. Kanë preferuar komoditetin e karriges opozitare në vend të betejës së vërtetë përballë qytetarëve.
Ky sistem është thembra e Akilit për opozitën – burimi i të gjitha problemeve – sepse i jep Partisë Socialiste avantazhe të padrejta në kushte pushteti dhe i lejon të shfrytëzojë lidhjet me krimin e organizuar dhe grupet e interesit në qarqe të ndryshme. Pikërisht për këtë arsye, kjo reformë prodhoi njërën nga disfatat më të thella elektorale që kemi parë që prej vitit 1997. Partia Socialiste, me 83 deputetë dhe me një pushtet më të konsoliduar se kurrë më parë, e shfrytëzoi në mënyrë perfekte këtë sistem.
Ashtu si në të kaluarën, ajo përdori çdo mekanizëm të mundshëm – të ligjshëm apo jo, etik apo jo – për të siguruar dominimin total të procesit zgjedhor. Përdori avantazhin e pushtetit, ndikimin e strukturave kriminale në qytetet periferike, aty ku çdo shqiptar i madh apo i vogël i njeh mirë komandantët e terrenit. Janë ata që zotërojnë lokalet, ndërtesat, hotelet dhe lidhjet politike, të cilët i garantojnë Edi Ramës pushtetin real.
Këta janë makineritë e vërteta që prodhojnë vota dhe nuk ngurrojnë as ta demonstrojnë hapur ndikimin e tyre, pasi kanë futur përfaqësuesit e vet në parlament, të votuar masivisht, por që nuk kanë asnjë aktivitet publik. Deputetët e Partisë Demokratike i kanë ditur të gjitha këto kur i bashkuan votat me Edi Ramën. Nuk kishin asnjë presion mbi kokë nga ndonjë faktor ndërkombëtar apo vendës.
E dinin rrezikun që mbartte reforma zgjedhore, por gjithsesi vendosën ta votojnë me të dyja duart. Jo për të përmirësuar procesin, as për të mbrojtur votën e qytetarëve, por për një vend në listë. Shpresa e tyre ishte se duke qëndruar afër kryetarit, do të siguronin një vend në Kuvend. Në këtë përpjekje për pushtet personal, e lanë në baltë betejën më të rëndësishme për Partinë Demokratike: përballjen reale me qytetarin dhe ndërtimin e një alternative të besueshme dhe konkurruese. Kjo është padrejtësia më e madhe politike që kam parë ndonjëherë. Sa kohë që opozita mbështet një sistem që favorizon të bindurit dhe dënon të zotët, ajo do të humbasë çdo palë zgjedhje.
Dua të rikthehem te Këshilli Politik, sepse aty nisi gjithçka. Në atë tryezë, unë isha e vetmja përfaqësuese e opozitës brenda parlamentit që kërkoi me ngulm ndryshimin e sistemit nga proporcional rajonal me lista të mbyllura në një sistem kombëtar me lista 100% të hapura. Bëmë përpjekje të jashtëzakonshme, në bashkëpunim me deputetë të tjerë dhe aktorë të shoqërisë civile. Por gjithçka mori fund kur të gjithë ishin kundër, përfshirë edhe trupën diplomatike.
Nënshkrimi i marrëveshjes së 5 qershorit ishte një nga gabimet më të mëdha të atyre katër viteve. Edhe pse u gjenda përballë një presioni të jashtëzakonshëm, veçanërisht nga Ambasada amerikane që kishte marrë përsipër rolin e garantuesit të reformës, nuk do duhej të isha tërhequr. M’u kërkua të tërhiqesha nga iniciativa për hapjen e listave, në mënyrë që të firmosej marrëveshja dhe të ecnim përpara me procesin e integrimit europian dhe rikthimin e PD-së në Kuvend.
Megjithatë, sot, më shumë se kurrë, e kuptoj që nuk duhej ta kisha firmosur atë marrëveshje të papërtypshme. Nuk më falet që e firmosa, por akoma më shumë nuk i falet Partisë Demokratike dhe LSI-së që nuk mbështetën këtë iniciativë historike për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Sot janë më të tkurrura se kurrë më parë. Ata nuk kuptonin se duke zgjedhur të ruanin fronin e kryetarit, në fakt po ruanin fronin e përjetshëm të Edi Ramës.
Nëse do të kishin zgjedhur përballjen reale me qytetarët, me lista të hapura dhe me kandidatë të vërtetë, ndoshta edhe rizgjedhja e Sali Berishës si kryetar i PD-së do të kishte pasur një ndikim të papërfillshëm në rezultatin zgjedhor. Pikërisht për këtë arsye, katër vitet që vijnë janë vendimtare. Opozita nuk mund të vazhdojë të funksionojë me të njëjtat mendësi, me të njëjtin sistem dhe me të njëjtin rreth vicioz autogolash.
Beteja e vërtetë për opozitën nuk është për ndonjë emër apo karrige, por për të rikthyer besimin e qytetarëve përmes një sistemi zgjedhor të ndershëm dhe përfaqësues. Vetëm kështu mund të lindë shpresa për një opozitë të fortë, konkurruese dhe me vizion. Vetëm kështu mund të ketë një alternativë reale ndaj pushtetit absolut të mazhorancës. Dhe vetëm kështu mund të fillojë më në fund beteja e vërtetë për katër vitet e ardhshme./e.t