Gjenerata Z është një ndër brezat që ka ndryshuar shumë aspekte, ka thyer cikle dhe në fakt, e ka bërë paksa sfiduese ‘përballjen’ e gjeneratave të ndryshme. Sigurisht, është hasur edhe me shumë problematika dhe ngjarje të rëndësishme globale (Covid-19), sisteme të reja në punë dhe karrierë. Megjithatë, ka një gjë që kjo gjeneratë e bën shumë mirë: Të adresojë ankthin, problemet me shëndetin mendor dhe të shmangë bisedat “e vështira” për negocimin e pagës.
Sipas studimit të ri, gjenerata Z stresohet më shumë kur negocion pagën, sesa kur i jep fund një marrëdhënieje. Pra, biseda përballë partnerit/es është më e thjeshtë sesa biseda para HR-së.
Studimi, i kryer nga ‘Talker Research’, në bashkëpunim me aplikacionin bankar Chime, përfshiu 2,000 të diplomuar të periudhës 2024-2025. Pjesëmarrësve iu paraqitën disa skenarë dhe u kërkua të vlerësonin se cili do ishte më stresues.
Rezultatet treguan se:
– 54% e të rinjve thanë se të negocioje pagën ishte më stresuese sesa të ndaheshe nga një partner
– 39% mendonin të kundërtën
Gjithashtu:
-71% e pjesëmarrësve ishin të shqetësuar për hapat e ardhshëm pas diplomimit
-Vetëm 42% ndiheshin shumë të sigurt për planet e tyre
-Nga ata që kishin një vit që kishin përfunduar studimet, 66% raportuan se plani i tyre kishte shkuar sipas pritshmërive
Kur u pyetën për detyra të tjera të jetës si të rritur:
-52% mendonin se gjërat që lidhen me taksat janë më të ndërlikuara sesa montimi i mobiljeve IKEA.
-35% kishin krijuar dhe ndjekur një buxhet.
-Vetëm 26% kishin nënshkruar një çek
-Vetëm 22% kishin balancuar një llogari bankare
Një studim tjetër nga universitet “Grand Canyon” thekson:
-37.1% e të diplomuarve e perceptojnë jetën pasuniversitare si më të vështirë sesa ngarkesën akademike
-56.2% e konsiderojnë jetën e të rriturve emocionalisht sfiduese (krahasuar me 44.4% që e konsideronin universitetin të tillë)
Me pak fjalë, shkruajeni pagën direkt në lajmërimin për punë që të shmangni shumë strese./E.Ç