23 maj 1431/ Zhan d’Ark, djegia në turrën e druve e ktheu në mit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Përgatiti: Leonard Veizi

Për të, dhe bëmat e saj ka libra pa fund. Figura e saj ka frymëzuar për shekuj jo vetëm patriotizmin francez, por edhe letërsinë, teatrin, artin dhe muzikën. Nga Volteri te Mark Tweni, nga pikturat e Ingres-it te veprat e George Bernard Shaw, nga filmat e Dreyer-it te muzikat e Verdi-t dhe Tchaikovsky-t, ajo mbetet simboli universal i guximit, bindjes së brendshme dhe thirrjes për drejtësi…

…Më 23 maj 1431 përfundoi zyrtarisht procesi famëkeq ndaj Zhan d’Ark, vajzës franceze që kishte sfiduar ushtritë, oborret dhe paragjykimet e shekullit XV. E shpallur fajtore për herezi dhe veshje mashkullore, ajo do të digjej e gjallë shtatë ditë më vonë, më 30 maj, në një shesh publik të qytetit Rouen, në zemër të territorit të kontrolluar nga anglo-burgundët. Kishte vetëm 19 vjeç.

Por historia e Zhan d’Ark nuk fillon me gjyqin dhe as mbaron me vdekjen. Ajo është historia e një vajze që u shfaq në një nga momentet më të errëta të Francës mesjetare – një komb i ndarë, i pushtuar dhe i gjunjëzuar nga dekadat e Luftës Njëqindvjeçare (1337–1453), një konflikt i gjatë mes kurorës së Francës dhe asaj të Anglisë për trashëgiminë e fronit francez.

Fillimi

Në pranverën e vitit 1429, një vajzë 17-vjeçare, fshatare analfabete nga Domrémy, një fshat i vogël në kufirin e trazuar me Lotaringjinë, trokiti në portat e kështjellës së Chinon-it ku ndodhej Dofini – Sharl Valua, trashëgimtari i fronit. Ajo nuk kërkoi shpërblim, as tituj, por një mundësi për të ndihmuar atdheun, të udhëhequr nga zëra të shenjtë që pohonte se i flisnin: Shën Margarita, Shën Katerina dhe Shën Mikaeli.

Fillimisht u mor si delirante, por vendosmëria e saj, natyra e qartë e fjalëve dhe saktësia me të cilën identifikoi Dofinin (që ishte fshehur me qëllim mes oborrtarëve për ta testuar) e bënë oborrin të dridhej. “Unë jam dërguar nga Zoti për t’ju çuar në kurorëzim në Reims” – do t’i thoshte ajo, duke evokuar një akt solemn që mbretërit francezë tradicionalisht kryenin për t’u njohur zyrtarisht si të tillë.

Ajo iu nënshtrua një ekzaminimi kishtar në qytetin e Poitiers. Ishte një kontroll i plotë: virgjëria, ortodoksia e besimit, natyra e “zërave” që pohonte se dëgjonte. Komisioni nuk gjeti asnjë shenjë herezie, as ndonjë ndikim satanik. Përkundrazi, ajo u quajt e pastër dhe u lejua të bashkohej me ushtrinë, me leje të veçantë mbretërore. Ishte precedenti i vetëm në historinë mesjetare franceze që një vajzë, e pashkollë dhe pa titull fisnikërie, merrte një rol udhëheqës në një fushatë ushtarake.

Fitorja

Në maj 1429, ajo hyri në Orleans – një nga qytetet e fundit të mëdha që mbronte Francën nga pushtimi i plotë anglez – dhe udhëhoqi trupat franceze në një seri betejash të suksesshme që çuan në çlirimin e qytetit më 8 maj. Kjo fitore ishte një kthesë strategjike e Luftës Njëqindvjeçare, por edhe një fitore morale që frymëzoi një popull të rrënuar nga disfata dhe nga frika se Zoti kishte braktisur Francën.

Lexo edhe :  Erdogan po "pushton" Europën përmes euros dhe dhëndrit

Zhan d’Ark nuk ishte komandante formale; ajo nuk udhëhiqte në kuptimin taktik, por ishte simboli shpirtëror i ringjalljes kombëtare. Në flamurin e saj bardh e zi ishte pikturuar figura e Krishtit në fron, të rrethuar nga engjëjt dhe me shënjtorët që i flisnin. Në të njëjtën kohë, ajo ndihmonte me këshilla ushtarake dhe morale komandantët, i thërriste trupat në betejë me forcën e një besimi të verbër dhe shpesh vetë udhëhiqte sulmet nga balli.

Vetëm dy muaj pas Orleans-it, më 17 korrik 1429, Sharl VII u kurorëzua në Katedralen e Reims-it – një akt i paprecedentë në atë moment lufte, që i dha legjitimitet hyjnor fronit të tij. Zhan d’Ark qëndronte pranë tij, me flamurin në dorë. Ajo ishte bërë mishërimi i triumfit përtej racionales – një fshatare që shndërrohej në mbrojtëse të kurorës.

Inkuizicioni

Por fama dhe shenjtëria e saj e pashpallur ranë ndesh me politikën. Kisha e asaj kohe ishte ndarë mes obediencës franceze dhe asaj anglo-burgunde. Pikërisht nga kjo frakturë u shfrytëzua rasti për ta kapur dhe dënuar.

Në maj 1430, gjatë një përpjekjeje për të çliruar qytetin e Compiègne, ajo ra në duart e burgundëve – aleatë të Anglisë – të cilët e shitën për 10 mijë livre tek anglezët. Edhe pse ishte një heroinë kombëtare, mbreti Sharl VII nuk bëri asgjë për ta liruar. Ajo përfundoi në burgun e Rouenit dhe më pas u dorëzua tek autoritetet kishtare që nisën procesin famëkeq të inkuizicionit.

Procesi zgjati muaj të tërë dhe u udhëhoq nga peshkopi Pierre Cauchon, aleat i anglezëve. Akuzat? Herezi, blasfemi, veshje mashkullore dhe dëgjim i “zërave të djallit”. Në të vërtetë, ajo u gjykua jo për besimin, por për simbolin që përfaqësonte: një Francë që ringrihej në emër të Zotit kundër pushtuesve. Të shumtë janë historianët që pajtohen se gjyqi ishte i manipuluar, një farsë politike e maskuar si proces fetar.

Procesioni

Më 30 maj 1431, ajo u nxor në sheshin Vieux-Marché të Rouenit, e veshur me një këmishë të bardhë, dhe u lidh mbi turrën e druve. Sipas dëshmitarëve, ajo kërkoi një kryq dhe një prift, dhe ndërsa flakët po e përpinë, ajo thërriste emrin e Jezu Krishtit deri në frymën e fundit.

Në fund, ata dogjën një trup, por nuk arritën të djegin dot një besim. Zhan d’Ark nuk ishte thjesht një vajzë me armë dhe flamur; ajo ishte një vetëtimë historike që ndriçoi terrin e një epoke të humbur. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse, edhe sot, Franca e quan bijën e saj më të denjë.

Shenjtërimi

Në vitin 1456, një proces i dytë – i njohur si Procesi i Rehabilitimit – i iniciuar nga vetë Sharl VII dhe i udhëhequr nga Papa Kalisti III, e shpalli atë të pafajshme dhe martire. Më 1920, Zhan d’Ark u shpall shenjtore nga Kisha Katolike.

Të fundit

Si i mori mbi 18 mijë vota?/ Sara Mile: Mu bashkuan simpatizantët e PD-së

Sara Mile, kandidatja për deputete më e votuar në 11 Maj për qarkun e Elbasanit ka folur në një...

Zjarri pranë shtyllave elektrike del jashtë kontrollit në Fier, stakohet energjia

Një zjarr ka rënë mesditën e sotme në vendin e quajtur “ Ura e Daullasit” në Fier. Zjarri i shkaktuar nga djegia e hamulloreve...

Si e përdorën shqiptarët kohën digjitale?/ 85% e shpenzuan në telefon, 27% me politikë

Një pjesë e konsiderueshme e kohës sonë sot kalon në botën digjitale, duke kryer aktivitete të ndryshme në internet. Sipas të dhënave  të publikuara...

Ishte i ankoruar në Saint-Tropez, superjahti luksoz shpërthen në flakë (VIDEO)

Anija 45 metra e gjatë ‘Sea Lady II’, u përfshi nga flakët ndërsa ishte ankoruar në portin e Saint-Tropez më 10 korrik. Një superjaht luksoz,...

Ndahet nga jeta ish-ambasadori gjerman në Shqipëri, Werner Daum

Diplomati gjerman u gjet pa shenja jete në dhomën e hotelit ku ishte akomoduar dhe dyshohet se vdekja ishte për shkaqe natyrale. Ish-ambasadori Werner Daum mbërriti...

Lajme të tjera

Web TV