Nga Mero Baze
Sali Berisha dhe ekipi i tij kanë ndërmarrë një fushatë të re ndaj SHBA, për t’u hakmarrë me cinizëm ndaj hezitimit që SHBA pati për t’i hequr Berishës sanksionet para zgjedhjeve, përkundrejt çmimit të lartë financiar që pagoi.
Prej disa ditësh, Berisha dhe shtypi rrotull tij, ka filluar të shikojë çdo ditë filxhanin e njoftimeve të ambasadës amerikane, dhe i interpreton ato sikur janë postime të paguara nga lobistët e tyre në SHBA, duke nxjerrë paragrafë apo fjali që, edhe pse janë për ngjarje botërore, i kontekstualizojnë për Shqipërinë. Fjala vjen, një artikull të Samuel Samson nga Zyra për Demokraci, të Drejta Njerëzore dhe të Punës, në Departamentin e Shtetit, nxirreshin rezervat që kishte zyrtari në fjalë ndaj demokracisë dhe lirisë së shprehjes në Gjermani dhe Rumani, duke iu referuar problemeve që hasën dy kandidatët populistë të ekstremit të djathtë dhe duke i akuzuar vendet perëndimore për minim të zgjedhjeve elektorale.
Tani ky përshkrim i cili është i adresuar qartë në artikull, që është për ato vende të Evropës, eksportohej sikur ishte për zgjedhjet në Shqipëri, dhe pastaj vazhdonin komentet se këto janë efektet e pagesës prej 6 milionë euro dhe punën e lobistëve të Berishës.
Kjo vazhdon dhe për çdo deklaratë dhe kur faqja e ambasadës citon Sekretarin Rubio për emigracionin masiv, apo dhe kur uron popullin shqiptar për zgjedhje. A thua se popullin shqiptar e ka uruar që janë minuar zgjedhjet.
Nuk është se Berisha dhe të vetët nuk e dinë që po spekulojnë. Por në një farë mënyre kjo është një fushatë e re fyese për SHBA, për të treguar se “ata” që shpallën Berishën “non grata” janë njerëz që blihen me lekë, dhe që i kanë pranuar lekët e tij, por thjesht duan ca më shumë. Është pak a shumë si debatet që bën Cim Peka në emision me Batonin apo të ftuar të tjerë që, kur nuk i vijnë në emision, ose kur nuk i shkojnë për shtat emisionit, i fyen duke u thënë se këta unë i paguaj dhe vijnë këtu si mercenarë të mi.
Pak a shumë këtë stil kanë edhe në këtë përmendjen e “meritave të lobistëve të tyre në SHBA që, sipas tyre, po komandojnë ambasadën e SHBA në Tiranë për llogari të tyre”.
E gjitha natyrisht që është një fushatë fyese dhe një denigrim i ulët për diplomatët amerikanë në Tiranë, por edhe për perceptimin e SHBA si një shtet i blerë prej Berishëve. Duke e bërë fakt të kryer që pagesat po funksionojnë, që edhe pse nuk hoqën “non gratën”, po shërbejnë për të minuar zgjedhjet, në fakt duan thjesht të marrin edhe një herë hak pas zgjedhjeve për shpresën e humbur për mos heqjen e “non grata”.
Me këtë rast, bëjnë sikur justifikojnë edhe milionat për LaCivitën dhe avokatët që po paguan Berisha, që të mos duket sikur shkuan lekët kot. Të mbajnë shpresat ndezur për zgjedhjet e ardhshme, nëse Berisha është ende gjallë./kb