Nga Frrok Çupi
Se çfarë do të ndodhte sikur në drurin e ullirit me të cilin do të krijohet mobilja, të fshihet një krimb. Flutura e vogël do ta hajë pak nga pak derën e garderobës, dhe do ta lërë çiftin pa gjumë disa vjet. Është aq nervozuese ajo gërr-gërr-gërr! E njëjta gjë do të ndodhte me muret e pallatit, edhe sikur 200 metra të jetë. Një masë inerte, baltë a një gjë tjetër, të lihet brenda gjigandit, ai një ditë do të anohej për nga balta.
Kështu do të ndodhë edhe me gjyqin që do të kryesojë gjykatësja Elsa Ulliri ndaj korrupsionit të Berisha &Co.
Gjithë përralla që kemi përpara nis me grupfjalëshin: ‘Se çfarë do të ndodhë?’.
Është e pamundur të mos ndodhë gjë.
Që të mos ndodhë gjëja e keqe, duhet që menjëherë gjykatësja Ulliri të japë dorëheqjen. Rruga pas kësaj është tjetër gjë. Zonjën Ulliri, një gjykatëse e re dhe sigurisht e zonja përderisa është përzgjedhur për në Gjykatë Speciale, që dje kur u hodh shorti i gjyqit të Sali Berishës, e kanë të gjithë në bisedë.
Shkaku i parë i bisedës, që në fakt quhet dyshim ndaj Drejtësisë dhe jo një bisedë dosido, është ky: Gjyqtarja Ulliri është njeri i afërt me deputeten e Berishës, Andia Ulliri, dmth., afër me Berishën. Mirëpo vetëm lidhja e afërt mes Elsa e Andia, nuk është i vetmi shkak pse Elsa duhet të lëshojë armët e të marrë punë tjetër.
Se çfarë do të ndodhte sipas ligjit të procedurës penale?
Po dëgjoj plot njerëz që marrin mbarë e mbrapsht paragrafet, herë 15, herë 16, herë 17. Disa kanë qasje të çuditshme me ligjin; mundësisht e duan që ligji të ketë thënë ‘Elsa, kushërira e Andia, të japë dorëheqjen”. Por nuk lexohet kështu ligji. Ligji është doktrinë, është moral, është kod sjelljeje, jo thjesht shkronjë. Mund të mos jetë fiks që të thotë ‘më mirë shko Elsa!’, por e gjithë fryma ta kërkon këtë. Është njësoj si vjedhja e kalit të bardhë. Fshati ‘Iks’ ishte ngritur më këmbë pse dikush kishte vjedhur kalin. Por një dhëndër i ri u pikas tek po vinte drejt fshatit, hipur mbi kalë të bardhë. ‘Jo, bir,- i tha dikush- zgjidh rrugë tjetër, jo nëpër fshatin Iks’. Djaloshi u krenua dhe i tha se s’mund ta ndalonte. “Nuk të ndaloj, bir, i tha- por në Iks kanë vjedhur mbrëmë kalin e bardhë. E ti mbi kalë të bardhë, kush ta beson!?..
Ligji mund të mos e ndalojë fjalë për fjalë, por Elsa nuk duhet të kalojë nëpër fshatin Iks. Si të thuash nëpër fshatin Nikël. Duhet të japë dorëheqjen.