Kujtimet e një shqiptari për Haxhin e vitit 1998
Nga Leonard Veizi
Teksa avioni ulej në pistën e pafundme të Xhidas, pelegrinët shqiptarë ndienë se ëndrra e tyre e kahershme më në fund ishte bërë realitet. Gjithçka përreth dukej e magjishme. Jo shumë larg nga porta hyrëse e shtetit arab, shtrihej parajsa e tokës – vendi i shenjtë për myslimanët e gjithë botës. Ishte 28 marsi i vitit 1998. Një kontingjent prej 300 shqiptarësh, të ndarë në dy avionë, kishte fluturuar drejt Arabisë Saudite për një udhëtim që do të zgjaste të paktën 15 ditë. Fillonte haxhillëku…
…Udhëtimi i shumëpritur drejt vendit më të shenjtë të myslimanëve nisi me emocion dhe devocion. “Sapo avioni u ngrit nga Rinas, filluam të këndonim njëzëri suret për haxhillëkun. Gratë vendosën shamitë që aty,” rrëfen me emocione të thella ato ditë të jashtëzakonshme Kadri Tresa, një nga pelegrinët e atij udhëtimi historik.
Mbërritja në Tokën e Shenjtë
Mbërritja në aeroportin gjigand të Xhidas, të dytin për nga madhësia pas atij të Nju Jorkut, shënoi fillimin e përjetimeve të jashtëzakonshme. Pas kontrollit rigoroz, çdo pelegrin firmosi një dokument për respektimin e ligjeve saudite. Pasaportat iu dorëzuan drejtuesit të grupit. Moti u tregua po aq i pazakontë sa edhe përjetimi shpirtëror: “Ra shi në Xhidë, për herë të parë pas dy vitesh. Na thanë se kishim ardhur me këmbë të mbarë.”
Në Mekë
Nga Xhida, udhëtimi vijoi drejt Mekës. Atje, pelegrinëve iu vendosën shirita identifikues në krah, për shkak të riskut të humbjes mes turmës së madhe. Temperaturat shkonin deri në 42 gradë gjatë ditës, por falë kushteve me ajër të kondicionuar, gjithçka përballohej më lehtë.
Që natën e parë, pelegrinët u drejtuan për në xhaminë e madhe. Fillimisht kryen Umra-n, me rrotullimet ndërmjet dy shkëmbinjve të brendshëm të xhamisë. Pastaj pinë ujin e bekuar të Zemzemit, duke lagur buzët me ujë që, sipas Profetit Muhamed a.s, sjell shërim dhe bekim.
Guri i Shenjtë
Kulmi i pelegrinazhit ishte vizita te Guri i Shenjtë, ku kryhen shtatë rrotullime të njohura si “Tauaf”. “Të arrije të prekje Gurin e Mekës ishte një mrekulli. Por ishte jashtëzakonisht e vështirë, për shkak të dyndjes së njerëzve, të cilët kërkonin të gjithë që ta preknin atë. Aty pranë ndodhej varri i Ismailit dhe gjurmët e dashit të kurbanit,” tregon Kadriu.
Pas këtij riti, pelegrinët nisën për Arafat, ku qëndruan në çadra deri në perëndim të diellit, duke iu lutur Zotit. Më pas, udhëtimi vijoi për në Muzdelife, ku mblodhën gurët për ritin e goditjes së shejtanit.
Shehidët e Haxhillëkut
Riti në Mina, ku pelegrinët godasin simbolikisht shejtanin me gurë, ishte një nga më të rrezikshmit. “Në tunelet e mbushura me aspiratorë dhe ndriçim, turma të shtypte. Nuk arrita dot të afrohesha. Vetëm atë ditë, nga komuniteti malejzian humbën jetën 280 vetë,” kujton Kadriu.
Çdokush që ndërronte jetë gjatë haxhillëkut, quhej Shehid – i shenjtëruar. Ata që ndërronin jetë varroseshin të premten, pas ritit. Katër burra të mëdhenj me ngjyrë merrnin kufomën dhe e rreth rrotullonin te Guri i Mekës. Më pas varrosej. Kur lihej amanet, i vdekuri varrosej në vendin që kishte kërkuar.
Kurban Bajrami
Shtatë ditë pas mbërritjes në Arabinë Saudite, erdhi dita e Kurban Bajramit. Pas riteve, burrat u qethën sipas traditës. Në mëngjesin e Kurban Bajramit, u falën në xhami dhe therën desh për të ndihmuar të varfrit. “Na priti një sheik në një xhami të madhe, me një drekë të bollshme ku nuk mungonin groshët, çorbat dhe mishi i thëllëzave. Më pas na çuan në Medina. Aty ndodhet dhe varri i Muhamedit a.s. Nga Meka në Medina ishte një distancë prej rreth 400 kilometrash”, kujton Kadri Tresa.
Vizita në Medinë
Pjesa e fundit e udhëtimit ishte vizita në Medinë. “Aty vizituam varrin e Muhamedit, por nuk lejohej ta prekje. Xhamia e qytetit ishte një kryevepër, ku mund të faleshin 1 milion besimtarë njëherësh. Tavanët ishin portativë – mbylleshin ditën dhe ndizeshin kondicionerët dhe hapeshin natën,” përshkruan Kadriu me admirim.
Kthimi në Atdhe
Më 14 prill 1998, kontingjenti shqiptar u kthye në atdhe. “Na priti një shi i ftohtë në Rinas. Ishim nisur me shi, dhe u kthyem me shi – por të mbushur plot me dritën e një udhëtimi shpirtëror që s’harrohet për jetë.”