Në BE janë të shqetësuar për sigurinë, në Ballkan prioritet është mbijetesa

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Qytetarët e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor kanë prioritete dhe pikëpamje të ndryshme jetësore, tregon një anketë e Eurobarometrit, e kryer në pranverë të këtij viti.

Derisa ata të BE-së mbeten të përqendruar në çështje të sigurisë që lidhen me pushtimin rus të Ukrainës, në Ballkanin Perëndimor më të shqetësuar janë për rritjen e çmimeve të ushqimeve, krimin, korrupsionin dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor.

Anketa shpërfaq, gjithashtu, dallime mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, sidomos Serbisë dhe pjesës tjetër të rajonit, për sa i përket optimizmit, besimit në BE, mosbesimit në NATO dhe mbështetjes për anëtarësimin e mundshëm.

Për tre vjet me radhë, më shumë se një e katërta e të anketuarve nga 27 vende pajtohen se lufta në Ukrainë përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e BE-së, ndërsa një e pesta i jep përparësi mbrojtjes dhe sigurisë.

Ballkani Perëndimor, në anën tjetër, përqendrohet te mbijetesa e përditshme. Krahasuar me anketën e njëjtë të kryer në vjeshtë, Maqedonia e Veriut regjistroi rritjen më të madhe të shqetësimeve në lidhje me krimin, ndërsa Kosova regjistroi rritjen më të madhe të shqetësimeve në lidhje me rritjen e çmimeve.

Kosova dallohet krahasuar me pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor për optimizmin, ku 76 për qind e të anketuarve shprehen të kënaqur me tregun e punës. Rreth 40 për qind e të anketuarve në vendet e tjera mendojnë se mundësia për të gjetur punë në vendin e tyre është e mirë, që është në përputhje me mesataren e Bashkimit Evropian.

Krahasuar me sondazhin e Eurobarometrit në vjeshtë, Shqipëria shënon rritjen më të madhe të optimizmit – për 17 për qind, ndërsa Bosnje dhe Hercegovina rritjen më të madhe të pesimizmit – për 6 për qind.

Sa i përket gjendjes së përgjithshme në vend, dy të tretat e të anketuarve në Serbi mendojnë se ajo është e keqe. Njëkohësisht, kjo është edhe rritja më e madhe e perceptimit negativ: 19 për qind.

Ndryshe nga të tjerët, 80 për qind e të anketuarve në Kosovë e kanë vlerësuar gjendjen në vendin e tyre si të mirë. Pesimizmi për këtë çështje është rritur më së shumti në Serbi – për 19 për qind – krahasuar me tetorin e vitit 2024.

Të anketuarit në Kosovë dhe në Mal të Zi janë optimistë sa i përket drejtimit që po ndjekin vendet e tyre.

Ndërkohë, në Bosnje dhe Hercegovinë është rritur ndjeshëm pesimizmi – 14% më shumë njerëz se në vjeshtën e vitit 2024 mendojnë se vendi është në rrugë të gabuar.

Rritje e ngjashme e mendimit negativ është shënuar edhe në Serbi, me 11%. Ndërsa shumica e qytetarëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor besojnë se jeta e tyre nuk do të ndryshojë vitin e ardhshëm, në Kosovë dhe në Shqipëri dominon optimizmi.

Lexo edhe :  Parashikimi i BSH, ditët e mira për ekonominë shqiptare pritet të vijojnë

Në këto dy vende, shumica besojnë se jeta e tyre do të përmirësohet, ndërsa çdo i pesti i anketuar në Serbi dhe në Maqedoni të Veriut ka frikë se e ardhmja do të jetë më e vështirë.

Në krahasim me të njëjtën anketë të kryer në vjeshtën e vitit 2024, në Mal të Zi është rritur për 20 për qind numri i atyre që mendojnë se gjithçka do të mbetet e njëjtë, ndërsa në pjesën tjetër të rajonit rezultatet janë afërsisht të njëjta.

Në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë, shumica e qytetarëve parashikojnë përkeqësim të situatës së përgjithshme në vendet e tyre, gjatë vitit të ardhshëm.

Kosova dhe Shqipëria dallojnë nga ky trend, pasi shumica e të anketuarve presin përmirësim në të ardhmen, madje më shumë se në vjeshtën e kaluar.

Pesimizmi është rritur më së shumti në Bosnje e Hercegovinë, për 6 për qind.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian, ndërkaq, mbetet i dëshirueshëm për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë. Entuziazmi është më i lartë në Shqipëri dhe Mal të Zi, ku shumica e të anketuarve besojnë se anëtarësimi do të sjellë përfitime për vendet e tyre.

Në Serbi, mendimet për anëtarësimin në BE janë të ndara në mënyrë të barabartë midis atyre që e përkrahin, e kundërshtojnë ose janë indiferentë. Në Mal të Zi është shënuar rritja më e madhe e optimizmit për anëtarësim në BE, krahasuar me anketën e mëparshme të vjeshtës – për 13 për qind.

BE-ja gëzon besim të madh në Mal të Zi, Shqipëri dhe Kosovë – gjë që përputhet me orientimet e tyre proevropiane.

Në anën tjetër, 57 për qind e të anketuarve në Serbi thonë se nuk besojnë në BE.

Sa u përket qytetarëve të BE-së, 52 për qind besojnë në institucionet evropiane, ndërsa 41 për qind nuk besojnë. Në krahasim me anketën e mëparshme, besimi ka mbetur thuajse i pandryshuar – me një rritje për 9 për qind në Kosovë.

Mungesa e besimit ndaj NATO-s në Serbi është edhe më e theksuar, ku 92 për qind e të anketuarve nuk besojnë në këtë organizatë. Ndryshe është situata në Kosovë, ku 95 për qind e njerëzve shprehin besim në NATO.

Shumica e qytetarëve të BE-së dhe mbi 60% e banorëve të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut – të dyja vende anëtare – kanë besim në Aleancën Veriatlantike. Rritja më e madhe e besimit në NATO është regjistruar në Bosnje e Hercegovinë – për 11 për qind. /REL

Të fundit

Trend i ri në Francë, shesin biletat e dasmave për njerëzit që nuk i njohin

Një trend i ri po përhapet në Evropë: çifte që po shesin bileta për dasmat e tyre te të...

Lewandowski refuzoi një pagë “të çmendur” nga Sauditët, për të qëndruar te Barça!

Agjenti i Lewandowskit zbuloi se sezonin e kaluar, sulmuesi refuzoi një ofertë të majme nga Arabia Saudite për të qëndruar te Barcelona. Ndërkombëtari polak...

YouTube prezanton rregulla të reja: inteligjenca artificiale do të gjejë moshën tuaj

YouTube, një nga platformat më të njohura online, po prezanton një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si mbron përdoruesit e rinj. Kompania do të...

Gjermanët testojnë teknologjinë që mund të parandalojë mijëra aksidente

Ngarja mbrapsht mbetet një nga rreziqet më të mëdha të aksidenteve rrugore. Sipas Klubit Gjerman të Automobilave (ADAC), një në katër kontakte me këmbësorët ndodh...

Elon Musk humb një tjetër bashkëpunëtor, jep dorëheqjen bashkëthemeluesi i xAI

Igor Babuschkin, një nga bashkëthemeluesit e kompanisë së Elon Musk, xAI, ka njoftuar largimin e tij prej saj përmes një postimi në X. Babuschkin udhëhiqte...

Lajme të tjera

Web TV