Nami i zi… me diplomat: Nga Akademia e Barinjve te Universiteti i të Moshuarve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Të them të drejtën, diploma që kam marrë shumë vite më parë nuk më pëlqen hiç, dhe gjithmonë e kam vuajtur faktin që s’arrita të bëja atë fakultet që kisha ëndërruar që në rininë e hershme. Por shpresat nuk duhen humbur kurrë. Doli dielli edhe për mua!

Që nga çasti kur u dha lajmi se Qeveria ka vendosur të ngrejë “Universitetin për Moshën e Tretë”, për të gjithë personat mbi 50 vjeç, thashë me vete: “Tani i ke të gjitha konditat. Pas të 50-tave mos u mbaj më si i ri se e ke kap moshën e tretë. Regjistrohu dhe bëj më në fund studimet që ke ëndërruar gjithë jetën! Një herë bie dasi në kos.”

Kështu që nga shtatori e tutje, ata që më duan dhe më respektojnë do të më shohin sërish me libra nën sqetull, me një stilolaps të futur në xhepin e këmishës, duke nxituar për në auditor. Vajti ora e leksionit, le që kemi dhe seminar sot… Dhe aty, kush e di, ndoshta do të gjej ndonjë pedagog, për të cilin dikur kam ndërhyrë që të merrej në punë, e tani do të më japë leksione.

Ja si vjen jeta…

Po pse jo? Edhe Noli, – për Fan Nolin e kam fjalën, – pas të pesëdhjetave, u diplomua në muzikë. Madje kompozoi dhe një operë për Skënderbeun! Mirë që nuk konkurroi Verdin. Ai kompozoi Aidën.

Kjo do të thotë që shanset në jetë të jepen gjithmonë, edhe atëherë kur nuk e pret.

Universiteti i të Moshuarve është një tjetër shpikje e epokës së blofeve me kravata. Ai ofron gjithçka: nga leksionet për kujtimet e fëmijërisë te seminaret për mënyrën e duhur të palosjes së gazetës. Sa për leximin, aha… Një program i gjerë, që më shumë i ngjan një klubi nostalgjik sesa një instituti shkencor.

-Me gjithë mend e keni ore?

-Jo po tallemi, posi…

Ndërkohë, arsimi parauniversitar po ikën për lesh – jo lesh shkencor, – por ai që fshati e shet me kile për eksport. Sistemi universitar, për sistemin baçelor, ka hyrë në ujë e duket sikur po mëson ato që ke përsëritur nga 9-vjeçarja. Masteri shkencor është kthyer në biznes. Paguaj faturën një herë, pastaj shohim e bëjmë.

– Qe, baba, paret…

Mësuesit janë lodhur duke shpjeguar përqindjen, ndërsa drejtuesit nuk dinë të llogarisin as dëmet që sjell injoranca. Shkollat publike rrënohen më shpejt se argumentet në një konferencë të Akademisë, dhe nëse qeveria do të kishte sadopak mend, do t’u vinte veshin këtyre mureve që po shemben, e jo tullumbaceve me diploma që fluturojnë pa timon.

Lexo edhe :  Vietnam 1972/ Djegia me napalm, fotoja me vajzën që klithte tronditi botën

Të moshuarve, me gjithë respektin, nuk u duhet universitet për të “mbajtur trurin në formë”. Mjafton një karrige në bibliotekën e lagjes, një gazetë e përditshme dhe ndonjë laps për të nënvizuar titujt. Po patën dhe një filxhan çaji afër, janë më në rregull se pas një seminar të radhës për “rolin e të shkuarës në të ardhmen që nuk po vjen kurrë”.

-E viva…

Por qeverisë i pjell mendja. Ndaj duhet lënë në habitatin e saj për prodhim idesh, nga “fabrika”.

Ca kohë më parë, një ministre qeveritare ndërmori një nismë edhe më fantastike se kjo: ngritjen e Akademisë së Barinjve. Po Akademi, ama – më e mirë se ajo e Shkencave, që s’dihet ku është e as çfarë bën.

Barinj me shkollë, jo gdhë si dikur. Barinj që tu flasin dhënve anglisht, dhe në vend të fyellit t’i bien flautit. Se do ketë më shumë rendiment qumështi, jo për gjë.

Në një vend ku kullotat janë shumë më të mëdha se bibliotekat dhe idetë, nuk është çudi që shkenca po i ngjan gjithnjë e më shumë një tufë delesh që ndjekin njëra-tjetrën rreth e qark një gardhi të padukshëm. Kështu ka lindur edhe Akademia e Barinjve – një institucion që, ndonëse pa statutin e shkencës, ka zënë vend në altarin e zhurmës, protokollit dhe tullumbaceve me helium. Këto të fundit ngrihen në qiell me parulla “Rroftë Partia!”, duke harruar se graviteti i realitetit arsimor nuk i lejon të zbresin më në tokë.

Por një ditë, kur më erdhën më në fund mendtë në kokë, u ula t’i vija pikat mbi “i”: Ore, këta barinjtë nga majat e thepisura të Labërisë janë edhe hajdutë me nam. Për çfarë u duhet Akademia? Se këta të vjedhin sy për sy e s’të japin as mundësinë ta kuptosh. Po iu futën Akademisë, mirë që do mbesin në klasë, por do t’i kapë edhe policia e shtetit e t’i plasë brenda – ngaqë do t’u humbasë instinkti i hajdutllëkut.

– Akuzohesh se ke vjedhur dashin e komshiut nga fshati përtej lumit.

– Çfarë thua o babam! Ec e kontrollo shtëpinë, po gjete ndonjë brinjë, hiç mos më kurse – prangat e të 313-ës e mbaj frymën!

Ja kështu po shkon puna e arsimimit në Shqipëri.

Në fund të fundit, arsimi s’është fushë për barinj, as pistë tullumbacesh. Është tokë ku mbillet mendimi dhe korret e ardhmja. Dhe kjo tokë, sot për sot, po mbillet me pluhur dhe po korret me hije.

Të fundit

Miratohet në parim marrëveshja me Serbinë për sigurimet shoqërore

Këshilli i Ministrave ka miratuar në parim marrëveshjen ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë për sigurimet shoqërore. Shqipëria ka nënshkruar një...

Veliaj nxjerr videon nga zyra një orë para se të arrestohej: Kemi disa punë…

Erion Veliaj i është bashkuar ‘modës’ së rrjeteve sociale nga burgu. Ai ka postuar një video, ku shfaqet brenda zyrës së tij në bashki, një...

Protestat në Los Angeles, Trump sulmon përsëri guvernatorin e Kalifornisë

Presidenti i SHBA, Donald Trump ka kritikuar sërish Guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Newsom duke e akuzuar për dështimin në mbrojtjen e qytetarëve dhe zbatimin...

Trafikimi i votave brenda PD, Aulon Kalaja: Vota ime u manipulua

Komisioni i Ankesave hapi sot 42 kuti të qarkut Dibër, rinumërimi i të cilave konfirmoi se kandidatët e PD-së kishin trafikuar votat e njëri-tjetrit. Lidhur...

“Prokuroria po heton atë që nxori videon, por jo atë që duhet ta ruante”

Vrasja e të miturit Martin Cani 8 muaj më parë pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë tronditi mbarë opinionin publik. Ngjarja solli reagime të...

Lajme të tjera

Web TV