E la Shqipërinë në moshën 25-vjeçare, jo për të ndjekur një ëndërr, por për t’i ikur një realiteti
që nuk ofronte siguri. U nis me një “çantë” me lot, kujtime dhe me një dhimbje që i flinte në kraharor. Nuk ishte rrugë e lehtë ajo që ndoqi, më shumë dukej si një kalim mes dy botëve: një Shqipëri që e donte si nënë, dhe një Evropë që duhej ta fitonte si betejë.
Në fillim, ishte Italia. Pastaj, Londra. Një qytet i ftohtë, i huaj, gri si retë që nuk largohen kurrë. Ishte shtatzënë kur mbërriti, dhe pa një dorë të ngrohtë që do të kujdesej gjatë ditës për të. E kishte mësuar anglishten për vite me radhë në Shqipëri, por fjalët i ngatërroheshin në gjuhë dhe nuk kishin më tingull. E megjithatë, nuk u tërhoq. Kishte një thirrje të brendshme për të qenë në shërbim, për të ushtruar profesionin e saj, për të ndihmuar, për të qenë një zë i ëmbël në kohë frike.
Sot, Elisabeta Topi punon në një nga strukturat inovative të kujdesit shëndetësor në Londër, një “spital në shtëpi”, që u lind si nevojë pas pandemisë së COVID-19. Aty, mjekësia nuk ndodh më vetëm në sallat sterile apo dhomat e bardha, por edhe në ekran, në distancë, me teknologji, besim dhe shumë profesionalizëm. Ajo është pjesë e këtij revolucioni të kujdesit modern, aty ku njerëzit shërohen pa dalë nga shtëpia, dhe ku një infermiere nuk është vetëm profesioniste, por zemër.
Elisabeta e di se mjekësia online nuk është thjesht një luks i teknologjisë, është një zgjidhje për realitete të vështira, sidomos për ata që janë më të pambrojtur. Dhe nëse ky shërbim do të aplikohej ndonjëherë në Shqipëri, ajo beson fort se duhet të nisë pikërisht nga brezi i tretë, nga ata që kanë dhënë gjithçka dhe tani kanë më shumë nevojë për kujdesin tonë. Sepse, për Elisabetën, infermieria nuk është punë, është mision. Dhe misioni ka shpirtin brenda…
Eja ta nisim nga fillimi… Ku ke lindur, si ishte fëmijëria jote dhe si ka ndikuar ajo në rrugën që ke ndjekur më vonë?
Kam lindur dhe jam rritur në Lushnje në fundin e viteve ’70. Si çdo fëmijë në atë kohë jam rritur mes vështirësive për shkak të sistemit dhe varfërisë që mbizotëronte, por kur kthej kokën pas dhe krahasoj me fëmijët e sotëm, mund të them me siguri që kam qenë fëmijë i lumtur.
Çfarë ke studiuar? Si të lindi dëshira për të ndjekur këtë profesion? A ishte pasion që në fillim apo erdhi me kohën?
Kam studiuar infermieri tek “Zonja e Këshillit të Mirë”. Në fakt, që në fëmijëri më ka lindur dëshira për të qenë infermiere. Motra ime e madhe ishte infermiere dhe unë, që në moshën 5–6 vjeç, dëgjoja pacientët e saj që më pyesnin: “Motra e Mirandës je ti? Lum ti për motrën që ke, sa shumë kujdeset për njerëzit”, dhe unë u rrita me mendimin që edhe unë dua të kujdesem për të tjerët e njerëzit të më duan e respektojnë. Gjithmonë e kam pasur pasion dhe vazhdoj ta kem. Nuk e kam parë kurrë si punë që më jep të ardhura, por si një thirrje të brendshme për të dhënë nga vetja në shërbim të komunitetit ku jetoj.
Si erdhi vendimi për të lëvizur jashtë Shqipërisë? Ishte i menduar gjatë apo një hap që u bë në një moment të caktuar?
Ishte një vendim i paramenduar. Për këtë arsye dhe studimet i kreva tek “Zonja e Këshillit të Mirë”. Në atë kohë dy vëllezër dhe dy motra të miat jetonin në Itali dhe unë doja të shkoja atje gjithashtu. Megjithatë, asnjëherë nuk e mendova se shkëputja nga Shqipëria do të ishte aq e vështirë. Kam qarë me dënesë që nga momenti që jam ndarë me prindërit deri sa arrita në Itali. Më kujtohet mami që më tha: “Mos ik moj bijë pse qan, shumë mirë je edhe këtu, në punë je.” Kam jetuar dhe punuar në Itali pothuajse 4 vjet, para se të shkëputesha përfundimisht në Londër.
Ditët e para në Londër, si ishin? Çfarë kujton më shumë nga ajo periudhë?
Eh, ditët e para në Londër… ç’të them? Të zymta, ashtu si koha. E vetmuar, shtatzënë, pa njohje, mezi prisja tim shoq të kthehej nga puna e të hapej goja të flisja me dikë. Telefonat dhe mundësitë e komunikimit nuk ishin si sot. Sa herë e kujtoj, përlotem. Emigrova për herë të dytë në një moshë të re, isha 27 vjeç dhe duhet të përshtatesha sërish me një vend të ri, gjuhën, mënyrën e jetesës. Qaja gjithë ditën dhe kur vinte bashkëshorti përpiqesha të dukesha sa më e qetë dhe ok me jetën që po jetoja. Ai më kishte dhënë mundësi zgjedhjeje, të vinte ai në Itali ose unë në Angli, dhe mendova se do të ishte më e lehtë profesionalisht për mua të shkoja në Angli. Është pishmani më i madh i jetës sime… por është vonë tashmë.
Cilat ishin pengesat më të mëdha që ke kaluar për të ndërtuar jetën tënde atje? Dhe çfarë të ka dhënë më shumë forcë për të mos u dorëzuar?
Pengesë më e madhe ka qenë gjuha. Edhe pse kisha studiuar për shumë vite anglisht në shkollë dhe privatisht, kur arrita këtu kuptova që s’dija të flisja. Isha mirë në të shkruar dhe për t’u kuptuar, por në lexim dhe në të folur isha shumë keq. Edhe fakti që isha shtatzënë dhe lindja e fëmijës më kufizoi në fillim. Forca ime më e madhe janë familja ime, bashkëshorti dhe fëmijët.
Si lindi ideja për t’u marrë me mjekësinë online?
Mjekësia online nuk është një ide e imja personale, por është një strukturë në të cilën punoj që prej vitit 2010. Lindi si model pas pandemisë së COVID-it, sepse gjatë asaj kohe shumë shërbime u transferuan online.
Si funksionon konkretisht puna jote sot? Me kë punon, cilat janë nevojat që përpiqesh të mbulosh?
Unë bëj dy punë, por do të fokusohem tek mjekësia online, që është risi në shërbimin ndaj pacientit. Quhet “Spitali në shtëpi” dhe ofron shërbim spitalor në kushtet e shtëpisë, për raste që nuk kërkojnë ndërlikime apo trajtime të avancuara. Struktura është e ndarë në tre departamente: Ndërhyrja e shpejtë, Vizitat në shtëpi, Monitorimi online. Pacientët referohen nga mjeku i familjes, spitali, komuniteti ose ambulanca. Qëllimi është të: përmirësojë kujdesin ndaj pacientit në kohë reale; ulë numrin e paraqitjeve në urgjencë; lirojë shtretërit e spitaleve për ata që kanë nevojë të vërtetë; ulë kostot dhe të bëjë sistemin më të përballueshëm.
A ka ndonjë histori të vogël që të ka mbetur në zemër nga puna jote, një pacient, një falënderim, një bisedë që të preku?
Plot. Një më ka mbetur në mendje. Pasi më falënderoi, një pacient më tha: “No, you don’t just do your job, you care. Thank you.” (“Jo, ti nuk bën vetëm punën, ti kujdesesh. Faleminderit.”) Këtu komplimentet për punën nuk mungojnë.
Çfarë është pjesa më e bukur e këtij shërbimi për ty? Dhe cila është më e vështira? A e duan njerëzit këtë gjë apo nuk ndihen të sigurt t’i besojnë dikujt nga një ekran i vogël?
Pjesa më e bukur është që ndihmon pacientin pa e nxjerrë nga shtëpia, shmang urgjencat dhe shtrimet e panevojshme. Vështirësia është që besojmë çdo informacion që pacienti na jep. Ata vetë matin tensionin, oksigjenin, temperaturën dhe të dhënat kalojnë në sistemin tonë. Nëse shohim anomali, i telefonojmë. Rreziku është te saktësia e matjeve dhe interpretimi profesional. Njerëzit e kanë mirëpritur dhe kemi shumë feedback pozitiv, por për raste mosbesimi kemi dhe shërbim “face to face”.
A ndjek çfarë ndodh në Shqipëri sa i përket shëndetësisë dhe teknologjisë? Mendon se vendi ynë është gati të përqafojë telemjekësinë si një zgjidhje?
Po, e ndjek. Ka përmirësime, por do ende kohë që të arrijmë një standard të pranueshëm. Kemi kulturë mosbesimi dhe shumë shkojnë drejt e në farmaci për antibiotikë të panevojshëm. Duhet dhe trajnim i thelluar për personelin që do e aplikojë telemjekësinë.
Nëse do të kishe mundësi të sillje këtë shërbim në Shqipëri, nga do ta nisje? Ku mendon se ka më shumë nevojë?
Do e nisja nga shërbimi infermieristik ambulator. Ka shumë pensionistë apo persona me aftësi të kufizuara që kanë nevojë për kujdes në shtëpi (injeksione, plagë etj.). Infermieret sot bëjnë rolin e sekretareve të mjekëve. Duhet riformuar shërbimi që ato të punojnë në terren dhe të ofrojnë shërbim të licencuar, duke mbrojtur edhe pacientët nga abuzimet dhe duke u vlerësuar vetë si profesioniste.
Si është të jetosh mes dy “botëve” njëra ku je rritur dhe tjetra ku po rritesh si profesioniste? A ndihesh ende “shqiptare” në zemër të Londrës?
Janë dy botë krejt të ndryshme. Jam përshtatur disi, por gjithmonë ndjehem shqiptare dhe e them me shumë krenari. Flas shpesh për Shqipërinë në ambientin e punës dhe disa kolegë të mi kanë prenotuar pushime në Shqipëri.
Kur e ndjen më fort krenarinë për veten? Ka ndonjë moment që e kujton shpesh si dëshmi që “ia vlejti”?
Krenohem me personin që jam, e dashur për njerëzit. Krenohem për arritjet e mia, por nuk harroj kurrë vajzën e vogël të ndrojtur, shpesh zbathur, që ka nisur këtë rrugë.
Nëse një vajzë shqiptare sot të thoshte: “Dua të ndjek rrugën tënde”, çfarë do t’i thoje?
Do t’i thoja: Mos humb më kohë.
A të mungon Shqipëria?
Shumë. Më mungon gjithçka, njerëzit, mënyra e jetës që më duket më e relaksuar. Jam shumë e lidhur me vendin dhe shkoj shpesh, edhe vetëm për një fundjavë. Gjithashtu, gjithë muajin gusht e kaloj në Shqipëri.
Çfarë do të doje që njerëzit të kuptonin për ty, përtej titujve dhe profesionit?
Një vajzë me shpirt të bukur, mirësi, që gjithmonë vë të tjerët para vetes.
Si e pritët risinë për votimin e Diasporës? A do të ketë ndonjë ndikim në jetën tuaj apo familjes?
Më ke prekur atje ku duhet me këtë pyetje. Jam shumë e apasionuar pas politikës, jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë saj. Sigurisht që votova, dhe mendoj që ka ndikim të madh. Ne shqiptarët shpesh jemi në faqet e para për të këqijat dhe jo për të mirat. Por kjo po ndryshon. Po na shohin ndryshe. E shijoj Shqipërinë dhe e ndjej çdo ndryshim sa herë vij.
Intervistoi: Fernada Cenko