Qoftë të paaftë, të shtyrë nga mbijetesa politike, apo të korruptuar, ata nuk e meritojnë të udhëheqin vendet e tyre, e lëre më të marrin vendime që rrezikojnë mbarë botën.
Simon Tisdall
Kjo luftë nuk ishte e pashmangshme. Kjo ishte një luftë që Izraeli zgjodhi. Ajo mund të ishte parandaluar. Bisedimet diplomatike po vazhdonin kur bombarduesit u nisën për Iran. Sulmet ajrore të Izraelit, që vazhdojnë të jenë të paligjshme, të padrejta dhe të pajustifikueshme, vështirë se do të arrijnë qëllimin e tyre të deklaruar — të ndalojnë përgjithmonë programin bërthamor të Iranit — dhe, përkundrazi, mund ta përshpejtojnë. Ato duhet të ndalen menjëherë. Po ashtu, Irani duhet të ndalojë hakmarrjen dhe të heqë dorë nga kërcënimet për të sulmuar bazat e SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Ky konflikt nuk qëndron më, si vitin e kaluar, te sulmet e kufizuara dhe të sakta ndaj qëllimeve ushtarake. Tani ka arritur në një fazë krejt tjetër. Pothuajse asgjë nuk përjashtohet. Civilë po vriten nga të dyja palët. Udhëheqësit tani kthehen edhe vetë në shënjestra. Retorika ka dalë jashtë kontrollit. Me Izraelin që lufton në disa fronte, dhe me Iranin që qëndron i izoluar dhe i dobësuar, Lindja e Mesme është më pranë se kurrë një shpërthimi shkatërrimtar.
Arsyet për të filluar luftën gjenden gjithmonë. Rrënjët e konflikteve të mëdha shpesh qëndrojnë dekada prapa — siç qëndron edhe armiqësia Iran-Izrael, që daton që nga revolucioni islamik i 1979-ës. E ashtuquajtura “luftë nën hije” mes tyre u përshkallëzua viteve të fundit. Megjithatë, lufta e plotë u shmang… deri tani.
Pra, kush mban përgjegjësinë kryesore për këtë shpërthim të paprecedent?
Përgjigjja: tre pleq të inatosur, veprimet e të cilëve ngrenë dyshime serioze për gjykimin, mendjen, qëllimet, madje edhe shëndetin e tyre mendor.
-Benjamin Netanyahu, kryeministri i Izraelit, që prej vitesh kërkon ballafaqim me Iranin, edhe pse kjo mund të ishte shmangur. Fakti që regjimi i Teheranit ishte dobësuar pas sulmeve të Izraelit vjet dhe humbjes së Hezbollahut, nuk e justifikon sulmin e befasishëm.
Inspektorët e OKB-së deklarojnë që Irani po shkel detyrimet e tij, por kjo nuk i jep dritën jeshile luftës.
Netanyahu, 75 vjeç, nuk ka më qëndrueshmëri për të udhëhequr Izraelin, lëre pastaj për të vendosur për jetën a vdekjen e të tjerëve. Ai dështoi të mbronte vendin nga sulmet e 2023, pastaj i shmangu përgjegjësitë. Premtoi se do të shkatërronte Hamasin dhe do të kthente pengjet, por ushtarët e tij vranë më shumë se 55,000 palestinezë në Gaza. Pushtoi Libanin dhe Sirinë. Tani Iranin. Deri ku do të ndalet? A do të sulmojë edhe Turqinë? — Kjo s’është e pamundur.
Lufta që ai zgjedh i shërben edhe mbijetesës politike, duke qëndruar kështu në pushtet dhe duke shmangur përgjegjësinë. Veprimet e tij i kanë dëmtuar reputacionin e Izraelit, duke nxitur antisemitizmin kudo. Netanyahu pretendon se po mbron vendin, por qëllimi i vërtetë qëndron edhe te mbijetesa e tij.
Ndërkohë që ai akuzohet për krime lufte, duhet të arrestohet, jo të mbrohet e të inkurajohet që të kryejë të tjera.
-Ajatollah Ali Khamenei, lideri i Iranit, 86 vjeç, që qëndron në krye të një regjimi teokratik, represiv, të korruptuar, që e ka humbur kontaktin me shoqërinë që gjoja i shërben. Zgjedhjet manipulohen, gjyqtarët urdhërohen, media censurohet.
Ushtarakët e Iranit dështojnë, ekonomia vuan, të rinjtë, veçanërisht gratë, që protestojnë, persekutohen.
Ashtu si Netanyahu, Khamenei mbështetet nga konservatorët e linjës së ashpër, ndërsa reformatorët që duan ndryshim margjinalizohen.
Ai që vendos vërtet është Khamenei. Këmbëngulja e tij për të pasuruar Uranium, pa patur përdorim civil, i dha Netanyahu-t justifikimin që kërkonte.
Edhe nëse Khamenei vdes, ideja që Irani të braktisë programin bërthamor është iluzion.
Gabimi që bën Khamenei, që mund t’i kushtojë shtrenjtë, qëndron te qëndrimi i tij kokëfortë.
Forcat e Iranit, që përfshijnë liderë të lartë ushtarakë, instalime bërthamore, raketa dhe dronë, janë vënë nën shënjestër.
Edhe vetë Khamenei, dhe eksportet e naftës që mbajnë gjallë vendin, mund të sulmohen.
Në një video provokuese, Netanyahu u bëri thirrje iranianëve që të ngrihen. Shumë do të dëshironin, por, që të përdorë Netanyahu këtë si justifikim, që ai që qëndron pas sulmit të duket si çlirimtar, mund të ketë efekt të kundërt, duke i forcuar autoritetet që ai përpiqet të dobësojë.
-Donald Trump, 79 vjeç, është personi i tretë që mban përgjegjësi për këtë tragjedi që mund të ishte shmangur.
Ai deklaroi se preferonte të negocionte një marrëveshje të re bërthamore me Iranin, pasi, me budallallëk, anuloi të vjetrën. Por ai ishte i paqëndrueshëm, qëndroi i pavendosur, dhe negociatorët e tij ndryshonin qëndrime vazhdimisht.
Kjo, pjesërisht, ndodhi sepse Trump — si me Palestinën dhe Ukrainën — ishte dembel, që të thellohej, që të kuptonte detajet.
Ai veproi instinktivisht, duke u mbështetur te instinkte që janë thuajse gjithmonë të gabuara.
Kështu u bë pre e lehtë e manipulimeve nga liderë si Netanyahu.
Neglizhenca e Trumpit nënkuptoi që, kur Izraeli vendosi të sulmonte Iranin, ai u dorëzua.
Dhe sapo sulmet filluan, ai ndryshoi qëndrim, duke u përpjekur të merrte merita dhe të lëshonte kërcënime.
Sa herë që flet, Trump përforcon dyshimin e Iranit që SHBA dhe Izraeli veprojnë si një i vetëm.
Një mesazh urgjent për Keir Starmer:
Kushdo që mendon që Trump ka sado pak ide se si të përballojë krizat ndërkombëtare, le të shohë me vëmendje ngjarjet alarmante të javës që sapo kaloi.
Qoftë kur ai i shitet Putinit, vendos tarifa, dështon armëpushime, apo qëndron si dhunues ndaj fqinjëve, Trump përbën rrezik total.
Është më mirë, dhe më e sigurt, që Britania të veprojë pavarësisht SHBA-së, që tani e tutje.
Këta tre pleq të inatosur — Trump, Netanyahu, Khamenei — mund të na vrasin të gjithëve.
Simon Tisdall është komentator i çështjeve të jashtme për Guardian/ Përgatiti për botim: L.Veizi