Nga Sebi Alla
Në analizën që i bën Shqipërisë, një raport i Komisionit Evropian veçon si arritje relativisht të mirë punën që bëhet në Prokurorinë Speciale SPAK dhe GJKKO, si dy nga institucionet e reja të drejtësisë. “SPAK ka bërë përparim të prekshëm drejt krijimit të një bilanci të fortë në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht në nivele të larta. Në vitin 2024, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsion dhe Krim të Organizuar (gjykata e apelit SPAK) ka dhënë 24 dënime përfundimtare me 106 persona të dënuar me vendime përfundimtare në raste korrupsioni, duke përfshirë 13 dënime në raste të nivelit të lartë, (duke përfshirë ish-ministra, ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, ish-kryetarë bashkish dhe zyrtarë të tjerë),”-thuhet në raport.
Vlërësimi nuk është i veçuar specifikisht për dy nga institucionet e reja të drejtësisë, madje më shumë se gjykim dhe vlerësim për punën e institucioneve të drejtësisë, raporti i KE e sheh gati politik. Tregues është edhe një reagim i sotëm i ambasadorit të BE-së në vendin tonë Silvio Gonzato, që i jep një tjetër rëndësi SPAK-ut, duke e cilësuar atë si institucionin kryesor që do të ndikojë në integrimin e vendit në BE. “Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të jetë e dukshme në të gjitha nivelet, bashkëpunimi me aktorët e tjerë është i nevojshëm me policinë, doganat, tatimet, sektorin privat etj… Bashkëpunimi efektiv për luftën ndaj krimit dhe viktimave të tij. Korrupsioni në nivele të larta është kërcënim i sigurisë. Krimi e përdor korrupsionin për të pasur akses. Forcimi i sundimit të ligjit, shumë i vlefshëm. Puna juaj ndikon në integrimin e vendit në BE”, tha Gonzato.
Mjafton kjo fjali e fundit për të kuptuar fillimin e një filli të gjatë me ngjyrat e flamurit të BE-së që Shqipëria vështirë se do e kapë, të paktën jo sipas datave dhe sloganeve politike. Ndonëse institucionet ndërkombëtare e veçojnë SPAK dhe GJKKO si vlera dhe mjete për të sjellë demokraci në një vend që demokracia është më shumë se e brishtë, sërish kjo nuk mjafton. Së pari SPAK nuk duhet të kalojë në vetëkënaqësi, duke shëtitur disa statistika si “përmbysje e madhe” dhe së dyti, që mund të ulë disi edhe vlerat e së parës, është që SPAK-u mos mendojë se është në “lupën politike” vendase dhe ndërkombëtare.
Këta institucione i kanë llogaritë me qytetarët, ata njerëz të shumtë në numër që nuk janë përlyer në korrupsion, që ushtrojnë një profesion ose një zanat dhe nuk shkelin ligjin, jo se kanë frikë prej tij, por se kanë mjaftueshëm aq qytetari sa mos e përfshijnë veten në llum. Pikërisht kësaj kategorie qytetarësh SPAK dhe GJKKO duhet t’i japë jo vetëm llogari, por edhe shpresë. Në një vend ku politika, nëpunësit e lartë të administratës të lidhur ngushtësisht me korrupsionin dhe një kategori jo e vogël e individëve të lidhur me krimin e organizuar, nuk janë shumicë në këtë vend, por paradoksalisht kontrollojnë shumicën qytetare, drejtësia është e vetmja që mban gjallë shpresën.
SPAK dhe GJKKO janë institucionet që gjenden në sulmet politike. Fakti që po goditen me “gurë” dhe fshihet “dora politike”, mbetet një tregues se në emër të ligjit prekën deri diku të paprekshmii. E megjithatë nuk mjafton. Drejtësia nuk është fushatë, por vijim normal, për të krijuar vetë pavarësinë, të cilën nuk ua dhorojnë ndërkombëtarët, e aq më pak politika lokale. Ndërkombëtarët, për të mos pranuar dështimin e tyre, vijojnë të mbajnë në këmbë dhe mbështesin institucione të cilat thonë se i ngjizën vetë, ndonëse “babai” i reformënës në drejtësi publikisht thotë se është kryeministri Edi Rama.
Raportet ndërkombëtare japin vlerësimë në tërësi positive për drejtësinë e re, por vetëkënaqësia e SPAK në situatën aktuale është dëmi më i madh që mund të ndodhë dhe nuk është aspak çudi që të ndodhë. Shenjat janë dhënë që një shkëputje e vëmendjes nga SHBA-të e kanë lënë disi zbuluar drejtësinë e re dhe fuqia e Brukselit nuk matet me atë të Uashingtonit. Në kushte të tilla, si SPAK ashtu edhe GJKKO, më shumë se të flasë në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare duhet të shtrohet në dosjet që ka në shqyrtim dhe të rejat që mund të hapen, për të vënë para provës, pa selektim, pushtetarë të sotëm dhe të djeshëm.
Shenjat janë dhënë që kryesisht SPAK duke u dhënë pas “raporteve pozitive”, deklaratave se gjendet në sulme politike, po shtron një rrugë të rrezikshme, e cila të çon vetëm në një drejtim: Paradhomë të politikës. Institucionet e drejtësisë duhet të kuptojnë se janë krijuar për të mos u përmendur fare, sepse “libri i shenjtë” për ta është ligji dhe zbatimi i tij, pa parë se sa forcë ka apo ka pasur një individ politik që e ka shkelur atë. Drejtësia duhet të heshtë publikisht dhe flasë vetëm me dosje, pa i dhënë vlerë çdo vlerësimi që mund të vijë nga raportet, qofshin ato edhe ndërkombëtare.